1 Zoti i tha Moisiut: “Thuaj Aronit: ‘Shtrije dorën tënde me shkopin tënd përmbi lumenj, mbi përrenj dhe mbi këneta dhe nxirri bretkocat mbi dheun e Egjiptit’”.
2 Aroni e shtriu dorën përmbi ujërat e Egjiptit, bretkocat dolën dhe e mbuluan dheun e Egjiptit.
3 Bënë po ashtu edhe magjistarët me shortitë e tyre dhe i nxorën bretkocat përmbi dheun e Egjiptit.
4 Faraoni i thirri Moisiun e Aronin dhe tha: “Lutuni Zotit t’i heqë bretkocat prej meje dhe prej popullit tim dhe unë do ta lëshoj popullin t’i bëjë fli Zotit.”
5 Moisiu i tha faraonit: “Më trego kur duhet të lutem për ty, për shërbëtorët e tu dhe për popullin tënd që bretkocat të shporrën prej teje dhe prej shtëpisë sate e të qëndrojnë vetëm në Lumë”.
6 Ai iu përgjigj : “Nesër”! Atëherë Moisiu i tha: “Do të bëj siç po thua, që ta dish se s’ka porsi Zoti, Hyji ynë!
7 Bretkocat do të shporrën prej teje dhe prej shtëpisë sate, prej shërbëtorëve të tu dhe prej popullit tënd, dhe do të qëndrojnë vetëm në Lumë”.
8 Moisiu dhe Aroni dolën prej faraonit. Moisiu iu lut Zotit lidhur me lidhur me bretkocat që i kishte derguar faraonit.
9 Zoti bëri ashtu si tha Moisiu dhe bretkocat ngordhën nëpër shtëpi, oborre dhe ara.
10 I mblodhën në grumbuj të mëdhenj dhe toka u qelb.
11 Kur faraoni pa se u qetësua puna, prapë e nguroi zemrën dhe nuk i dëgjoi, e bëri ashtu si kishte thënë Zoti.
12 Zoti i tha Moisiut: “Thuaj Aronit: ‘Shtrije shkopin tënd dhe bjeri pluhurit të tokës dhe të shndërrohet në mushkonja në mbarë dheun e Egjiptit’”!
13 Bënë ashtu, Aroni e shtriu dorën në të cilën kishte shkopin dhe i ra pluhurit të tokës, i cili u shëndrua në mushkonja mbi njerëz dhe mbi bagëti. I tërë pluhuri i tokës u shndërrua në mushkonja në mbarë dheun e Egjiptit.
14 Po ashtu bënë edhe shortarët me shortitë e tyre për t’i përftuar mushkonjat, por nuk qenë në gjendje. Mushkonjat i mësynë: qoftë njerëzit, qoftë bagëtitë.
15 Shortarët i thanë faraonit: “Ky është gishti i Hyjit”! Por zemra e faraonit u gurua prapë dhe nuk i dëgjoi ata, ashtu si kishte thënë Zoti.
16 Zoti i tha prapë Moisiut: “Çohu heret në mëngjes dhe dil para faraonit. Kur të dalë tek uji ti thuaji: ‘Kështu thotë Zoti: Lëshoje popullin tim që të më bëjë fli!
17 Por në qoftë se nuk do ta lëshosh, ja, unë do të çoj në ty dhe në shërbëtorët e tu, në popullin tënd, në familjen tënde çdo lloj grethash. Shtëpitë e egjiptianëve do të mbushen me gretha, po ashtu edhe trualli ku ata të qëndrojnë.
18 Po atë ditë do ta veçoj dheun Gesen, ku banon populli im. Aty nuk do të ketë gretha dhe do ta dish se unë jam i vetmi Zot në mes të tokës.
19 Do të bëj dallim ndërmjet popullit tim dhe popullit tënd: nesër do të ndodhë kjo shenjë’”.
20 Zoti bëri po ashtu. Dhe u sulën gretha të mëdhenj në shtëpitë e faraonit dhe të shërbëtorëve të tij, në mbarë dheun e Egjiptit. Mbarë vendi u shkretua nga ata gretha.
21 Faraoni çoi e thirri Moisiun e Aronin dhe u tha: “Shkoni e flijoni Hyjit tuaj, por në këtë vend”!
22 Moisiu i tha: “S’është e mundur kështu! Sepse, çka i flijojmë ne Zotit, Hyjit tonë, është shenjtdhunim për egjiptianët. Nëse ne do të flijonim ato kafshë që egjiptianët i adhurojnë, do të na vrisnin me gurë.
23 Do të largohemi tri ditë udhë larg në shkretëtirë dhe atje do t’i flijojmë Zotit, Hyjit tonë, ashtu si na ka urdhëruar”.
24 Atëherë faraoni tha: “Unë po ju lëshoj të shkoni e t’i flijoni Zotit, Hyjit tuaj, në shkretëtirë, por mos shkoni tepër larg e lutuni edhe për mua”.
25 Moisiu tha: “Si të dal prej teje, do t’i lutem Zotit dhe grethat do të largohen nesër prej faraonit, prej shërbërorëve të tij, prej popullit të tij. Porse, vërja mirë mendjen e mos gënje më, por lejoje popullin të shkojë e t’i flijojë Zotit”!
26 Si doli Moisiu prej faraonit, iu lut Zotit.
27 Zoti bëri si kërkoi Moisiu dhe grethat u shporrën prej faraonit, prej ministrave të tij dhe prej popullit të tij: nuk mbeti asnjë për be!