< Dan 6 Dan 8 >
Lexim prej librit të Danielit(Dan 7)
7

1 Në vitin e parë të Baltazarit, mbretit të Babilonisë, Danieli pa një ëndërr e disa vegime i silleshin nëpër mend në shtrojën e tij. Ai edhe e shkroi ëndrrën.

Fillimi i fjalëve që tha:

2 Danieli tha: “Shikoja në vegimin tim natën dhe, ja, katër erërat e qiellit e çonin peshë Detin e Madh;

3 katër egërsira të stërmëdha dolën nga deti: ishin të ndryshme nga njëra‑tjetra.

4 E para ishte porsi luaneshë e kishte krahë shqiponje. Ndërsa unë po e shikoja, iu shkulën krahët, u ngrit nga toka e u ndreq në këmbë porsi njeriu dhe i qe dhënë zemra e njeriut.

5 Dhe ja, një tjetër egërsirë, e dyta, e ngjashme me ariun, pjesërisht e ndrequr. Në gojë i kishte tri brinjë: i mbante me dhëmbë. Kështu i qe thënë: “Ngrihu e ha shumë mish!”

6 Pastaj shikoja, dhe ja, një tjetër egërsirë, porsi leopardi. Mbi vete kishte katër krahë shpendi. Egërsira kishte edhe katër kokë dhe i qe dhënë pushteti.

7 Pas kësaj po shikoja në vegimin e natës dhe, ja, egërsira e katërt e tmerrshme, e çuditshme dhe tejet e fuqishme. Dhëmbët i kishte të hekurt, të mëdhenj: hante e copëtonte dhe tepricën e shkelte me këmbë. Ishte krejtësisht e ndryshme nga egërsirat e tjera që i kisha parë më parë, dhe kishte dhjetë brirë.

8 Unë po i vrojtoja këta brirë, dhe ja, mbiu një tjetër bri i vogël mes tyre dhe tre nga brirët e mëparshëm u shkulën para tij. Pashë se ai bri kishte sy si sy njeriu. Kishte edhe gojën me të cilën fliste fjalë të mëdha.

Vegimi i të Tejetlashtit dhe i Birit të njeriut

9 Vrojtoja

dhe ja, u shtruan fronet

dhe i Tejetlashti ndenj.

Petku i tij i bardhë porsi bora,

flokët e kokës së tij porsi leshi i pastër;

froni i tij porsi flaka e zjarrit,

rrotat e tij zjarr i ndezur flakë!

10 Lumë i zjarrtë rridhte

e dilte përpara tij,

mijëra mijërash i shërbenin

e miliarda miliardash qëndronin përpara tij:

po bëhej gjyqi,

u hapën librat!

11 Ende më jehonin në veshë fjalët e mëdha që fliste briri, dhe ja, egërsira qe prerë, e copëtuan trupin e saj dhe e hodhën për ta djegur në zjarr.

12 Egërsirave të tjera u qe marrë pushteti, por u qe lejuar ta zgjasin jetën edhe për një kohë të caktuar.

13 Unë po shikoja kështu në vegimin e natës:

dhe ja, në retë e qiellit,

po vinte dikush si Biri i njeriut!

Arriti deri tek i Tejetlashti i motit

dhe qe paraqitur para tij.

14 Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë.

Të gjithë popujt, fiset e gjuhët

u shtruan nën shërbimin e tij:

pushteti i tij pushtet i amshuar

që kurrë s’do të merret,

mbretëria e tij

kurrë nuk do të prishet.

Shtjellimi i vegimit

15 Tmerri ma mbuloi shpirtin. Mua Danielin më tmerruan këto gjëra. Vegimet që më vlonin në mend më morën mendsh.

16 Iu afrova njërit prej atyre që ishin aty e kërkova të ma thotë të vërtetën lidhur me të gjitha këto. Ai m’u përgjigj e ma dha shpjegimin e këtyre gjërave:

17 “Këto katër egërsira të mëdha, janë katër mbretër që do të ngriten mbi tokë;

18 do ta marrin veç prej tyre mbretërinë dhe do ta mbajnë për shekuj të shekujve shenjtërit e Hyjit të Tejetlartë.”

19 Pastaj kërkova të mësoj të vërtetën lidhur me egërsirën e katërt, që ishte shumë e ndryshme nga të gjitha këto të tjerat, tepër e tmerrshme, dhëmbët i kishte të hekurt e thonjtë të bronztë, hante, copëtonte e tepricat i shkelmonte,

20 nga dhjetë brirët që i kishte në kokë dhe për tjetrin që posa i lindi i ranë tre të tjerë, për atë bri që kishte sy e gojë, me të cilën fliste fjalë të mëdha dhe që ishte më e madhe se të tjerat.

21 Unë po e shikoja dhe, ja, ai bri bënte luftë kundër shenjtërve dhe i mundte,

22 derisa arriti i Tejetlashti i motit dhe u dha të drejtën Shenjtërve të të Tejetlartit. Erdhi koha dhe Shenjtërit e fituan mbretërinë.

23 Ai tha kështu:

“Egërsira e katërt

do të jetë e katërta mbretëri mbi tokë

më e madhe do të jetë se mbretëritë e tjera,

do ta përpijë botën mbarë,

do ta shkelmojë e do ta grimcojë.

24 Kurse dhjetë brirët:

nga kjo mbretëri

dhjetë mbretëri do të bëhen,

por pas tyre një tjetër do të ngrihet.

Ky do të jetë më i fuqishëm se të parët,

tre mbretër do t’i mposhtë,

25 blasfemi do të flasë kundër të Tejetlartit,

do t’i ndrydhë Shenjtërit e të Tejetlartit,

do të kujtojë se mund t’i ndërrojë

kohët e Ligjin,

e Shenjtërit do të bien në dorë të tij

për një kohë, disa kohë e gjysmë kohe.

26 Atëherë do të mbahet gjyqi,

do t’i merret pushteti,

do të shpartallohet e do të zhduket për jetë!

27 Mbretëri e pushtet e madhëria e mbretërive

do t’i jepen popullit

të Shenjtërve të të Tejetlartit,

mbretëria e të cilit

është mbretëri e amshueshme

dhe të gjithë mbretërit atij do t’i shërbejnë,

atë do të dëgjojnë. ’“

28 Këtu merr fund tregimi.

Unë, Danieli, mbeta shumë i turbulluar në mendimet e mia, fytyra m’u zverdh, por këto gjëra i ruajta në zemrën time.



Fjala e Zotit