< Dan 7 Dan 9 >
Lexim prej librit të Danielit(Dan 8)
8

1 Të tretin vit të mbretërimit të mbretit Baltazar, unë Danieli, pata një vegim, pas atij që më ishte dukur më parë.

2 Unë po shikoja vegimin e, ndërsa po shikoja, më dukej se isha në kështjellën Suzë, që është në krahinën Elam; por në vegim pashë se isha në brigjet e lumit Ulaj.

3 I ngrita sytë e mi e shikova, dhe ja, një dash po qëndronte përbri lumit. Kishte dy brirë: brirët i kishte të mëdhenj, por njëri ishte më i lartë se tjetri e më i larti ishte rritur më vonë.

4 Pashë se dashi me brirë gjuante në perëndim, në veri e në mesditë. Asnjë kafshë nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë, gjë e gjallë s’mund t’i shpëtonte. Bënte si donte vetë e u bë i madhërueshëm.

5 Unë po vëreja: dhe ja, nga perëndimi po ia beh një cjap përmbi sipërfaqen e tokës e këmbët nuk ia preknin tokën! Cjapi kishte ndërmjet syve një bri “të mrekullueshëm”.

6 Ia behu te dashi me brirë që e pashë se po qëndronte në breg të lumit dhe, me gjithë fuqinë që kishte, u sul kundër tij.

7 Pasi iu afrua dashit, pashë se u sul me tërbim kundër tij, i ra dashit e ia theu të dy brirët e dashi s’mundi t’i qëndrojë. Pasi e hodhi përtokë, e shkelmoi dhe askush s’mundi ta shpëtojë dashin prej tij.

8 Cjapi atëherë erdhi e u bë shumë i madh. Kur u bë i madh, iu thye briri i madh e, në vend të tij, lindën katër brirë në drejtim të katër erërave të qiellit.

9 Nga njëri prej tyre doli një bri i vogël, por u bë i madh në drejtim të mesditës, të lindjes e të vendit të fuqishëm.

10 U bë i madh deri në fuqitë qiellore, i flaku përtokë disa nga fuqitë qiellore e yjet dhe i shkelmoi.

11 U lartësua deri në Prijësin e Ushtrisë, ia mori flinë e përditshme dhe ia rrënoi Vendin e shenjtë.

12 Për shkak të mëkateve ushtria u ngrit kundër flisë së përditshme, përtokë u zhgërrye e vërteta: briri përparoi në gjithçka që ndërmori.

13 Dëgjova një shenjt duke folur dhe një shenjt i tha një tjetri, s’di se kujt, atij që po fliste: “Deri kur do të vazhdojë kjo pamje: flia e përditshme e ndaluar, mëkati shkatërrues që po bëhet, Shenjtërorja dhe vendi i fuqishëm që po shkelmohet me këmbë?”

14 Ai iu përgjigj: “Edhe dy mijë e treqind mbrëmje e mëngjese e Shenjtërorja do të pastrohet.”

Engjëlli Gabriel shtjellon vegimin

15 Ndërsa unë, Danieli, kisha këtë vegim dhe mundohesha që ta kuptoja, ja, para meje qëndroi dikush si njeri.

16 Dëgjova zërin e një burri që prej Ulajt thërriste e thoshte: “Gabriel, shtjelloja këtij vegimin!”

17 Ai erdhi ku isha unë. Kur arriti, nga tmerri, rashë me fytyrë përdhe. Ai më tha: “Biri i njeriut, merre vesh mirë, ky vegim është për kohën e fundit!”

18 Ndërkohë që ai po fliste, unë rashë me fytyrë përdhe, por ai më preku e më çoi në këmbë.

19 Atëherë më tha: “Ja, unë po të zbuloj çka do të ndodhë në mbarim të mallkimit, sepse mbarimi e ka kohën e caktuar.

20 Dashi që e pe se ka dy brirë: janë mbretërit e medëve e të persianëve,

21 kurse cjapi është mbreti i grekëve. Briri i madh, që e kishte ndërmjet syve, është mbreti i parë.

22 Çka pe se u thye briri e në vend të tij dolën katër të tjerë: janë katër mbretëritë që do të dalin prej popullit të tij, por s’do ta kenë fuqinë e tij.

23 Pas mbretërisë së tyre, kur t’i ketë mbuluar paudhësia, do të ngrihet një mbret i pafytyrë e dinak.

24 Fuqia e tij do të rritet, por jo prej fuqisë së vet. Do të shkaktojë rrënime sa s’mund të besohen, do t’i shkojnë punët për së mbari, do t’i vrasë të fortët edhe popullin e shenjtë.

25 Në saje të dinakërisë së tij, dredhia do të përparojë në duart e tij, do të krenohet në zemrën e vet dhe me dredhi do të bëjë të vriten me shumicë. Do të çohet edhe kundër princit të princave, do të zhduket pa i vënë kush dorë!

26 I vërtetë është vegimi i mbrëmjeve e i mëngjeseve, për të cilin u fol, por t’i vulose vegimin, sepse do të vërtetohet pas shumë ditëve.”

27 Unë, Danieli, u meka dhe për disa ditë mbeta i sëmurë. Pastaj u çova e vijova të kryej punët që m’i kishte ngarkuar mbreti. Vegimi më kishte lënë të habitur, sepse s’ishte kush në gjendje që ta kuptonte.



Fjala e Zotit