< Dan 8 Dan 10 >
Lexim prej librit të Danielit(Dan 9)
9

1 Vitin e parë të Dariut, birit të Asuerit, prej farës së medëve, i cili sundoi mbi mbretërinë e kaldenjve,

2 vitin e parë të sundimit të tij, unë, Danieli, po i shqyrtoja Shkrimet mbi numrin e vjetëve ‑ të cilët i ishin zbuluar prej Hyjit profetit Jeremi ‑ që duhej të plotësoheshin për rrënimet e Jerusalemit: shtatëdhjetë vjet.

3 E solla fytyrën time drejt Zotit Hyjit tim, iu luta e iu përluta me agjërim, me grathore e në pluhur.

4 Unë iu luta Zotit Hyj, dëshmova e thashë:

“Po të lutem, o Zot, Hyj i madhërishëm e i tmerrshëm, ti që e mban Besëlidhjen dhe mëshirën ndaj atyre që të duan e i mbajnë urdhërimet e tua.

5 Ne mëkatuam, bëmë keq, vepruam paudhësisht, kundërshtuam, i lamë urdhërimet e rregulloret e tua.

6 Nuk i dëgjuam shërbëtorët e tu profetët, të cilët, në emër tënd, u folën mbretërve tanë, prijësve tanë, etërve tanë e mbarë popullit të vendit.

7 Ty, o Zot, të përket drejtësia, kurse neve turpi në fytyrë, siç u ndodhi edhe sot njerëzve të Judës, banorëve të Jerusalemit, e mbarë Izraelit, këtyre që janë afër e atyre që janë larg anembanë tokës, ku i trete për shkak të paudhësisë së tyre, me të cilën mëkatuam kundër teje.

8 O Zot, neve na takon turpi në fytyrë, mbretërve tanë, prijësve tanë e etërve tanë, sepse mëkatuam kundër teje;

9 kurse Zotit, Hyjit tonë, i takon mëshira e falja, sepse ne u larguam prej teje.

10 Nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë, për të ecur ligjit të tij që na e dha nëpërmjet shërbëtorëve të vet, profetëve.

11 Të gjithë izraelitët e shkelën Ligjin tënd dhe u larguan për të mos e dëgjuar zërin tënd. Kështu u resh mbi ne mallkimi e nëma që është e shkruar në Librin e Moisiut, shërbëtorit të Hyjit, sepse mëkatuam kundër tij.

12 Ai i vuri në veprim fjalët që i ka folur kundër nesh e kundër gjyqtarëve tanë, të cilët na gjykuan: zbrazi mbi ne një fatkeqësi të madhe, sa që një gjë e tillë kurrë nuk kishte ngjarë nën qiell, siç i erdhi Jerusalemit.

13 Pikërisht ashtu siç është e shkruar në Ligjin e Moisiut, krejt ajo fatkeqësi erdhi mbi ne e ne nuk e lutëm Zotin, Hyjin tonë, nuk u kthyem nga paudhësitë tona për ta pranuar të vërtetën tënde.

14 Zoti ndenji zgjuar mbi këtë fatkeqësi dhe e çoi mbi ne, sepse Zoti, Hyji ynë, është i drejtë në të gjitha veprat e veta që i bëri: në të vërtetë ne nuk e dëgjuam zërin e tij.

15 E tani, o Zot, Hyji ynë, ti, që me dorën tënde të fuqishme e nxore popullin tënd prej tokës së Egjiptit ‑ e fitove zë të madh që qëndron deri në ditën e sotme ‑ ne kemi mëkatuar, ne e bëmë të keqen,

16 o Zot, kundër çdo drejtësie sate, por po të lutem, largoje zemërimin tënd e furinë tënde prej qytetit tënd Jerusalemit e prej Malit tënd të Shenjtë: sepse për shkak të mëkateve tona e të paudhësive të etërve tanë Jerusalemi dhe populli yt janë bërë turpi i të gjithë atyre që na rrinë përreth.

17 E tani, o Hyji ynë, dëgjoje lutjen e shërbëtorit tënd dhe përlutjet e tij, dëftoje fytyrën tënde mbi Shenjtëroren tënde të mbetur shkretë, pashë dashurinë tënde!

18 Prire, o Hyji im, veshin tënd e dëgjo! Hapi sytë e tu e shihe mjerimin tonë e Qytetin që thirret me emrin tënd. Jo, nuk i paraqesim lutjet tona në fuqi të veprave tona të drejta, por në fuqi të mëshirave të tua të shumta.

19 Na dëgjo, o Zot! Na fal, o Zot, na vështro e vepro! Mos vono pashë jetën tënde, o Hyji im, sepse emrin tënd mban Qyteti yt e populli yt!”

Engjëlli shtjellon profecinë

20 Derisa ende po flisja, po lutesha e po rrëfeja mëkatet e mia e mëkatet e popullit tim, Izraelit, dhe po i shtrija përlutjet e mia para Hyjit tim për Malin e Shenjtë të Hyjit tim,

21 ndërkohë që ende po thoja lutjen, dhe ja, Gabrieli, që e kisha parë më parë në vegim, duke fluturuar me nxitim më preku në kohën e flisë mbrëmësore,

22 më mësoi, foli me mua e më tha: “O Daniel, erdha për të të mësuar e për të të bërë të kuptosh.

23 Që në fillim të lutjes sate ka dalë fjala dhe unë qeshë dërguar ta mësoj, sepse ti je tejet i dashur. Tani rri gati fjalës e merre vesh vegimin:

24 Shtatëdhjetë të shtunat janë të caktuara

mbi popullin tënd e mbi Qytetin tënd të shenjtë

për t’i dhënë fund paudhësisë,

për të marrë fund mëkati,

për t’u zhdukur fajësia,

për t’u sjellë drejtësia e përhershme,

për të shkuar në vend vegimi e profeti,

për t’u shuguruar Shenjti i shenjtërve.

25 Dije, pra, dhe merre mirë vesh:

Që kur të dalë fjala

që përsëri të ndërtohet Jerusalemi

e derisa të vijë i Shuguruari Prijës,

janë shtatë javë.

Gjatë shtatëdhjetë javëve pastaj

përsëri do të rindërtohet sheshi dhe muret,

por në kohë të vështira.

26 Pastaj pas shtatëdhjetë e dy javëve

do të vritet i Shuguruari,

por jo për vete.

Qytetin dhe Shenjtëroren do ta shkatërrojë

populli i prijësit të ardhshëm.

Mbarimi i tyre është në shkatërrim

e deri në mbarim do të ketë luftë

e shkatërrime të caktuara.

27 Ai do të lidhë një Besëlidhje të fortë me shumë palë

për një javë të vetme;

në gjysmën e javës

do të pushojë fli e kusht,

përmbi krahun e Tempullit

do të jetë Ndyrësia e shkatërrimit

deri në mbarim,

deri në caktimin e mbarimit

që do të bjerë mbi shkatërruesin.”



Fjala e Zotit