1 Shpirti më ngriti e më çoi te dera lindore e Tempullit të Zotit, tek ajo që shikon nga lind dielli. Dhe ja, në hyrje të derës njëzet e pesë burra, e në mes tyre, pashë Jehoninë, birin e Azurit, e Feltinë, birin e Banajës, princat e popullit.
2 Më tha: “Biri i njeriut, këta janë njerëzit që përsiatin të keqen dhe japin këshilla të këqija në këtë qytet
3 dhe thonë: ‘Pse a nuk u ndërtuan pak më përpara shtëpitë? Ky qytet është kusia e ne jemi mishi.’
4 Prandaj profetizo kundër tyre! Profetizo, biri i njeriut!”
5 Dhe shpirti i Zotit, zbriti tek unë e më tha: “Fol! Kështu thotë Zoti: Kështu thotë, shtëpia e Izraelit, e mendimet e zemrës suaj unë i njoh.
6 Shumicë njerëzish vratë në këtë qytet dhe i mbushët rrugët e tij me të vrarë.
7 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ata që ju i vratë, që i hodhët nëpër të, ata janë mishi e ky qytet është kusia; kurse ju do t’ju nxjerr nga ky qytet!
8 Shpatën e druajtët, shpatën do ta çoj mbi ju ‑ është fjala e Zotit Hyj.
9 Unë do t’ju hedh jashtë tij, do t’ju lëshoj në dorë të armikut dhe do të bëj gjyq për ju.
10 Prej shpatës do të bini. Në kufi të Izraelit do t’ju gjykoj dhe do ta kuptoni se unë jam Zoti.
11 Ky qytet s’do të jetë më kusia juaj e ju s’do të jeni mish në të: në kufijtë e Izraelit do t’ju gjykoj!
12 Do ta dini se unë jam Zoti: ju që nuk ecët në urdhërimet e mia e nuk i zbatuat ligjet e mia, por vepruat sipas ligjeve të paganëve që janë rreth e rreth jush.”
13 Ndërsa unë po profetizoja, vdiq Feltia, biri i Banajës. Unë rashë me fytyrë përdhe e bërtita me sa munda e thashë: “Heu! O Zot, Hyj! Farën po ia humbet Tepricave të Izraelit!”
Mërgimtarëve u premtohet një besëlidhje e re
14 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
15 “Biri i njeriut, janë vëllezërit e tu, farefisi yt, të afërmit e tu edhe mbarë shtëpia e Izraelit, të cilëve u thanë banorët e Jerusalemit: ‘Ata janë larg Zotit; toka na është dhënë neve për pronë.’
16 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi i treta larg ndër paganë, pasi i shpërndava nëpër vende të ndryshme, unë për pak kohë do të bëhem Shenjtërorja e tyre në vendet ku arritën.
17 Prandaj thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Do t’ju bashkoj prej popujve e do t’ju mbledh nga tokat, në të cilat keni qenë tretur dhe do t’ju jap tokën e Izraelit.
18 Kur këta të kthehen në të, do t’i zhdukin prej saj të gjitha neveritë e turpësitë.
19 Unë do t’u jap një zemër tjetër, në ta do të fus një shpirt të ri, nga trupi i tyre do ta nxjerr zemrën e gurtë e do t’u jap zemër të mishtë,
20 kështu që të ecin urdhërimeve të mia e t’i zbatojnë gjyqet e mia: që të jenë populli im e unë të jem Hyji i tyre.
21 Por prej atyre që me zemër i ndjekin neveritë e turpësitë idhujtare do të kërkoj përgjegjësi” ‑ është fjala e Zotit Hyj.
Lavdia e Zotit e lë Jerusalemin
22 Atëherë kerubinët i lartësuan krahët, me ta u nisën edhe rrotat mbi të cilat ishte Lavdia e Zotit të Izraelit.
23 Lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit e shkoi e zuri vend mbi malin që është në lindje të qytetit.
24 Shpirti më kapi edhe mua e më solli ndër kaldenj, në mes të të mërguarve, në vegim, në shpirtin e Hyjit; atëherë m’u zhduk vegimi që pata.
25 Unë pastaj u tregova mërgimtarëve të gjitha fjalët që Zoti m’i kishte thënë.