1 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
2 “Biri i njeriut, ti banon në mesin e njerëzve kryekëcyer, të cilët i kanë sytë për të parë e nuk shohin, veshët për të dëgjuar e nuk dëgjojnë, sepse janë njerëz kryengritës.
3 Ti, pra, biri i njeriut, bëji gati gjërat për udhëtim e ndër sy të tyre bëj sikur po çohesh ditën për diell, e shpërngulu nga vendi yt në një vend të tjetër ndër sy të tyre, a mos ndoshta e hetojnë se janë pjellë e keqe.
4 Merre ngarkesën tënde, sikurse ai që shpërngulet, ditën, ndër sytë e tyre e hodhe jashtë; dil jashtë në mbrëmje siç bën ai që niset për mërgim.
5 Ndër sy të tyre shporoje murin e dil nëpër të.
6 Ndër sy të tyre vëre në krah ngarkesën e mbarte në terrin e natës; mbuloje fytyrën që të mos e shikosh tokën, sepse të bëra shenjë për shtëpinë e Izraelit.
7 Bëra ashtu si më urdhëroi Zoti: ditën e nxora jashtë ngarkesën, ngarkesën e shpërngulësit, e në mbrëmje e shporova murin me dorën time e në terrin e natës e ngarkova në krah dhe e mbarta ndër sytë e tyre.
8 Në mëngjes më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
9 “Biri i njeriut, vallë a nuk të pyeti shtëpia e Izraelit, ajo pjellë e keqe: ‘Çfarë po bën ashtu?’
10 Përgjigju: Kështu thotë Zoti Hyj: Kjo profeci është për prijësin që është në Jerusalem e për mbarë shtëpinë e Izraelit që është në të.
11 Thuaj: Unë jam shenja juaj! Siç bëra unë, ashtu do t’u ndodhë atyre: do të shkojnë në mërgim e në skllavëri!
12 Prijësit që është ndër ta do t’i duhet ta mbartë në krah ngarkesën e në terrin e natës do të dalë. Murin do ta birojnë që të bëhet kalim nëpër të; fytyrën e vet do ta mbulojë që me sy të mos e shohë tokën.
13 Unë do t’ia ngreh rrjetën që të bjerë në të e të zihet në lakun tim. Do ta shpie në Babilon, në tokën e kaldenjve, por atë s’do ta shohë e atje do të vdesë.
14 E të gjithë ata që janë përreth tij, rojën trupore dhe njësitë e tij, do t’i shpërndaj në çdo anë dhe pas tyre do ta nxjerr shpatën.
15 Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, kur t’i kem shpërndarë ndër paganë e shpërngulur nëpër toka të ndryshme.
16 Prej tyre do të lë të shpëtojë nga shpata, uria e murtaja një numër të vogël njerëzish, që t’i tregojnë paudhësitë e tyre ndër paganët te të cilët do të arrijnë. Do ta dinë se unë jam Zoti.”
17 Më qe drejtuar edhe kjo fjalë e Zotit:
18 ”Biri i njeriut, ha bukë me frikë e pi ujë me të dridhura e me shqetësim.
19 E thuaji popullit të vendit: Kështu u thotë Zoti Hyj atyre që banojnë në Jerusalem, në tokën e Izraelit: Në ngushticë të madhe do ta hanë bukën e në mjerim të madh do ta pijnë ujin, sepse vendi do t’u shkretohet e do të mbesë pa asgjë për shkak të paudhësisë së të gjithë atyre që banojnë në të;
20 po edhe qytetet që tani janë të banuara, do të shkretohen, mbarë vendi do të mbesë shkretë: atëherë do ta dini se unë jam Zoti.”
Thashetheme në popull
21 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
22 “Biri i njeriut, çka ju thotë ajo fjalë që shkoni duke e përsëritur gojë më gojë në tokën e Izraelit: ‘Ditët po kalojnë e po zhduket çdo vegim?’
23 Prandaj thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Do të bëj të mos dëgjohet më ajo thashetheme e s’do të përsëritet më në popull në tokën e Izraelit! Thuaju: Po afrohen tashmë ditët, kur të gjitha vegimet do të shkojnë në vend.
24 Më s’do të ketë vegim të kotë as parashikim të gabuar në mesin e bijve të Izraelit,
25 sepse po flas unë, Zoti, çdo fjalë që ta them, do të plotësohet: më nuk do të shtyhet, por në ditët tuaja, shtëpi kryengritëse, do ta them fjalën e do ta zbatoj!” ‑ është fjala e Zotit Hyj.
26 Atëherë m’u drejtua fjala e Zotit e më tha:
27 “Biri i njeriut, ja, izraelitët po thonë: ‘Vegimi që ka është për ditë të largëta, profetizon për kohë të largëta!’;
28 prandaj thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Asnjë fjalë e imja nuk do të shtyhet më; fjalën që ta kem thënë do ta çoj në vend ‑ thotë Zoti Hyj.”