1 Erdhën tek unë disa pleq të Izraelit dhe u ulën pranë meje.
2 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
3 “Biri i njeriut, këta njerëz i kanë vendosur idhujt në zemrat e veta dhe para syve të vet i kanë vendosur ata që i bëjnë të bien në mëkat. Vallë, kur të më pyesin për këshillë a thua do t’u përgjigjem?
4 Prandaj fol me ta e thuaju kështu: Kështu thotë Zoti Hyj: Çdo njeriu prej shtëpisë së Izraelit që i ka vendosur idhujt në zemrën e vet dhe i ka vënë përpara syve të vet ata që e bëjnë të bjerë në mëkat, kur të vijë te profeti për të më pyetur nëpërmjet tij, unë Zoti do t’i përgjigjem atij sipas shumësisë së idhujve të tij
5 që ta kap shtëpinë e Izraelit në zemër, me të cilën u larguan prej meje për shkak të idhujve të vet.
6 Prandaj thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: Kthehuni e largohuni nga idhujt tuaj dhe shkoqeni fytyrën tuaj nga çdo ndyrësi.
7 Sepse çdo izraeliti dhe çdo ardhacaku, kushdo të jetë ai ardhacak në Izrael, nëse largohet prej meje e i vendos idhujt në zemrën e vet dhe i vë përpara syve ata që e bëjnë të bjerë në mëkat, nëse vjen te profeti për të më pyetur mua nëpërmjet tij, unë Zoti vetë do t’i përgjigjem për vete;
8 do ta largoj fytyrën time nga ai, atë do ta bëj një emnesë për t’u përralluar, do ta çrrënjos nga populli im e atëherë do ta dini se unë jam Zoti.
9 Po në qoftë se profeti gabon e flet, atëherë unë Zoti e kam ngashnjyer atë profet: do ta çoj dorën time kundër tij dhe do ta zhduk nga mesi i popullit tim izraelit.
10 Të dy do të jenë përgjegjës për fajin e vet! Faji do të jetë si i atij që pyet, si i profetit.
11 Kështu shtëpia e Izraelit nuk do të endet më larg meje dhe s’do të ndyhet më me ndyrësitë e veta. Do të jetë populli im e unë do të jem Hyji i tyre ‑ thotë Zoti Hyj.”
Përgjegjësia vetjake
12 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
13 ”Biri i njeriut, kur një vend të mëkatojë kundër meje me pabesnikëri, mbi atë vend do ta çoj dorën time, do t’ia zhduk kursimin e bukës së tij, do të çoj në të urinë e do të vras në të njeri e kafshë;
14 po edhe në ndodhshin këta tre burra në mesin e tij: Noehi, Daneli e Jobi, këta, në saje të drejtësisë së vet, do ta shpëtojnë jetën e vet ‑ është fjala e Zotit Hyj.
15 Po në qoftë se do të çoj egërsira kundër atij vendi për t’ia shuar fëmijët e të bëhet vend i shkretë, nëpër të cilin të mos kalojë askush për shkak të egërsirave,
16 në qoftë se këta tre burra ndodhin në të, pasha jetën time, thotë Zoti Hyj, s’do të mund t’i shpëtojnë as bijtë as bijat, do të shpëtojnë vetëm ata, kurse vendi do të shkretohet.
17 Ose, në qoftë se do ta çoj shpatën kundër atij vendi e nëse i them shpatës: Përshkoje vendin se dua të vras në të njerëz e kafshë,
18 këta tre burra, nëse do të ndodhin në të, pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ ata s’do të mund t’i shpëtojnë bijtë e bijat e veta, por do të shpëtojnë vetëm ata.
19 Ose në qoftë se do ta çoj në atë vend murtajën dhe do ta zbraz në atë vend zemërimin tim dhe vrasjen për të zhdukur në të njerëz e kafshë,
20 e në qoftë se në mes të tij gjenden Noehi, Daneli e Jobi, pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ bij e bija s’do të mund t’i shpëtojnë, do të shpëtojnë vetëm vetveten në saje të drejtësisë së vet.
21 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Në qoftë se edhe i çoj katër frushkujt e mi të tmerrshëm: shpatën, urinë, egërsirat e murtajën kundër Jerusalemit për të zhdukur në të njerëz e kafshë,
22 megjithatë do ta lë në të një Tepricë që do t’i shpëtojnë bij e bija. Ja, ata do të vijnë tek ju dhe ju do ta shihni sjelljen e tyre dhe veprat e tyre dhe atëherë do të ngushëlloheni, sepse do ta kuptoni se nuk i çova të gjitha ato të këqija mbi Jerusalem pa ndonjë arsye.
23 Ata do t’ju ngushëllojnë kur ta shihni sjelljen e veprat e tyre, do ta merrni vesh se nuk e bëra kot gjithë atë që e bëra në të, thotë Zoti Hyj.”