1 Në vitin e nëntë, në muajin e dhjetë, të dhjetën ditë të muajit, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: Më tha:
2 “Biri i njeriut, shënoje me shkrim datën e ditës së sotme, sepse pikërisht sot mbreti i Babilonit do ta sulmojë Jerusalemin.
3 Thuaji kësaj shtëpie kryekëcyer një fjalë në shëmbëlltyrë. Thuaju:
Kështu thotë Zoti Hyj:
Vëre në zjarr kusinë,
vëre ‑ të them
e në të hidh ujë!
4 Hidh në të copa mishi,
pjesët më të mira kofshë e shpatull;
mbushe me eshtra të zgjedhur.
5 Merre më të mirën prej grigjës.
Dhe nën të shtjer mjaft dru
le të vlojë fort e për një kohë të gjatë
e të zihen edhe eshtrat në të!
6 Sepse Zoti Hyj thotë kështu:
Mjerë qyteti gjakatar,
mjerë kusia që është ndryshkur
ndryshku i së cilës nuk i hiqet!
Copë nga një copë prej saj nxirri
por mbi të short mos hidh,
7 sepse gjakun e ka brenda,
e zbrazi mbi shkëmb të lëmuar,
nuk e zbrazi përmbi tokë
që me pluhur të mund të mbulohej.
8 Që në mua të ndizej zemërimi,
që të hakmerrem,
gjakun ia derdha në shkëmb të lëmuar
që të mos mb’lohet.
9 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj:
Mjerë qyteti gjakatar,
për të cilin do të ndez zjarr të madh.
10 Bashko dru, ndize zjarrin,
zije mishin derisa të shkrihet,
shteri lëngun
deri edhe eshtrat të digjen!
11 Kusinë lëre zbrazët mbi prush,
që të nxehet e bakri të skuqet,
le të shkrihet ndotësia e saj
le të zhduket ndryshku që ka.
12 Ç’mund i madh!
Porse ndryshku i shumtë i saj
jo s’do të hiqet,
as zjarri nuk ia heq dot!
13 Mëkati yt është i tmerrshëm! Desha të të pastroj, por s’u pastrove nga ndyrësitë e tua! Por as nuk do të pastrohesh para se unë ta kem zbrazur kundër teje krejt zemërimit tim! 14 Unë, Zoti, fola e fjalën time do ta çoj në vend: s’do të përdëllej as s’do të fal as s’do të pajtohem. Do të të gjykoj sipas sjelljes sate e sipas veprave të tua ‑ thotë Zoti.”
Vuajtjet vetjake të profetit
15 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
16 “Biri i njeriut, ja, unë po ta marr papritmas atë që është kënaqësia e syve të tu. Mos u pikëllo, mos qaj as mos derdh lot!
17 Dënes në heshtje, mos bëj gjëmë si bëhet zakonisht për të vdekur. Shallmin mbaje lidhur rreth kreje, mbathi këmbët e tua, mos e lidh gojën me rubë dhe mos ha drekë.”
18 Në mëngjes i kisha folur popullit e në mbrëmje më vdiq gruaja. Të nesërmen në mëngjes bëra si më kishte qenë urdhëruar.
19 Populli më pyeti: “Pse nuk na tregon çfarë do të thotë kjo që po bën?”
20 Unë iu përgjigja: “Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
21 Thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do ta përdhunoj Shenjtëroren time, mburrjen tuaj të madhe, kënaqësinë e syve tuaj, dëshirën e shpirtit tuaj. Bijtë tuaj e bijat që i keni lënë do të bien prej shpatës.
22 Bëni siç bëra unë: mos e mbuloni gojën me rubë e mos e hani bukën e vajtorëve,
23 lidhni shallmet rreth kresë, mbathni sandalet në këmbë, mos u pikëlloni as mos qani, por cijzni për shkak të fajeve tuaja e secili njëri pas tjetrit le të dënesë.
24 Ezekieli le t’ju mbetet shenjë: bëni gjithçka siç bëri ai kur do të ndodhë kjo e do ta dini se unë jam Zoti Hyj.
25 E ti, biri i njeriut, ja, atë ditë, kur t’ua marr atyre fuqinë, shpatën e madhërisë, kënaqësinë e syve të tyre, gëzimin e shpirtit të tyre ‑ bij e bija,
26 ditën që të vijë te ti një i ikur e të të lajmërojë,
27 pikërisht atë ditë, po them, do të të çelet goja e ti do të bisedosh me atë të ikur, do të flasësh e më s’do të jesh memec: do të jesh shenjë. Njerëzit do ta marrin vesh se unë jam Zoti.”