< Ez 28 Ez 30 >
Lexim prej librit të Ezekielit(Ez 29)
29

1 Në të dhjetin vit, në të dhjetin muaj,

të dymbëdhjetën ditë të muajit, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit. Më tha:

2 “Biri i njeriut, sille fytyrën tënde kundër faraonit, mbretit të Egjiptit, e profetizo kundër tij e kundër mbarë Egjiptit.

3 Fol e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj:

Ja, pritëm, o faraon,

mbreti i Egjiptit,

krokodil i madh,

që shtrihesh sa gjerë gjatë

në lumenjtë e tu

e thua: ‘Imi është lumi,

unë e krijova vetveten!’

4 Do ta vë grremçin në nofullat e tua,

do t’i ngjis peshqit mbarë të të gjithë lumenjve

për luspat e tua,

do të të nxjerr jashtë lumenjve të tu,

me të gjithë peshqit e lumenjve të tu

të ngjitur për luspat e tua.

5 Do të të hedh në shkretëtirë

bashkë me të gjithë peshqit e lumenjve të tu.

Do të përplasesh përmbi tokë,

askush s’do të të çojë as s’do të të varrosë:

Të dhashë për ushqim

egërsirave të tokës e shpendëve të qiellit!

6 Do ta dinë të gjithë banorët e Egjiptit

se unë jam Zoti.

Sepse ti ishe shkop kallami

për shtëpinë e Izraelit.

7 Kur në dorë të morën, ti u theve

ti krejt dorën ua copëtove.

Kur u mb’shtetën në ty, u theve

e të gjithë i këpute në kryq!

8 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja unë po çoj kundër teje shpatën e do të vras njerëz e kafshë.

9 Toka e Egjiptit do bëhet shkretëtirë dhe e pabanuar: do ta dinë se unë jam Zoti! Sepse ti the: ‘Lumi është imi, unë e krijova!’,

10 ja, prandaj unë po vij kundër teje e kundër lumenjve të tu, tokën e Egjiptit do ta bëj shkretëtirë, të shpartalluar nga shpata që prejMagdolit e deri në Sienë, deri në kufijtë e Kusit.

11 S’do ta përshkojë më këmbë njeriu, këmbë bagëtie më s’do të shkelë në të, e pabanuar do të mbesë për dyzet vjet.

12 Tokën e Egjiptit do ta bëj shkretëtirë mes tokave të shkretuara, qytetet e tij do të jenë mes qyteteve të rrënuara të shkretuara për dyzet vjet e egjiptianët do t’i tres ndër paganë e do t’i shpërndaj nëpër vende të ndryshme.

13 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Pasi të kalojnë dyzet vjet do t’i bashkoj egjiptianët nga popujt, ndër të cilët qenë shpërndarë,

14 e do ta ndryshoj fatin e Egjiptit dhe do t’i ngul në tokën Fatures, në vendlindjen e tyre, ku do të trajtojnë një mbretëri të vogël.

15 Ndër mbretëritë e tjera do të jetë më e vogla, më s’do të ngrihet mbi popujt e tjerë e do ta zvogëloj që të mos i pushtojë më popujt.

16 As shtëpia e Izraelit më nuk do të ketë shpresë në të, do ta kujtojë fajin e vet që i ndoqi ata, e do ta kuptojnë se unë jam Zoti Hyj.”

17 Ndodhi që, në vitin njëzet e shtatë, të parën ditë të muajit të parë, të më drejtohej kjo fjalë e Zotit:

18 “Biri i njeriut, Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, e ka çuar në këmbë ushtrinë e vet dhe ka ndërmarrë një sulm të rreptë kundër Tirit: çdo kokë u rrua e çdo krah u thye e ai s’pati kurrfarë dobie as ai as ushtria që u çua kundër Tirit, pse e sulmoi Tirin.

19 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja, pra, unë po ia lë në dorë Nabukodonozorit, mbretit të Babilonit, tokën e Egjiptit, ai do t’ia marrë pasurinë, do ta rrëmbejë e do ta bëjë pre me gjithçka ka. Kjo do të jetë shpërblimi i ushtrisë së tij.

20 Për mundin që hoqi kundër Tirit, tokën e Egjiptit do t’ia jap si shpagim. Do t’ia jap tokën e Egjiptit pse punuan në shërbimin tim, thotë Zoti Hyj.

21 Atë ditë do të bëj të forcohet krahu i shtëpisë së Izraelit, kurse ty do ta zhdërvjell gjuhën mes tyre e do ta dinë se unë jam Zoti.”



Fjala e Zotit