< Ez 32 Ez 34 >
Lexim prej librit të Ezekielit(Ez 33)
33

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 ”Biri i njeriut, fol me bijtë e popullit tënd dhe thuaju: Nëse e dërgoj shpatën kundër një vendi e populli i atij vendi e zgjedh një prej të vetëve dhe e vë për rojtar të vetin,

3 e ky, kur ta shohë se po vjen shpata kundër atij vendi, i bie bririt dhe e lajmëron popullin,

4 kushdo që e dëgjon zërin e borisë e nuk është në kujdes, atëherë vjen shpata dhe e shkurton, gjaku i tij mbi kokën e tij:

5 e dëgjoi zërin e bririt e nuk qe në kujdes: gjaku i tij mbi kokën tij le të jetë! Po të kishte dashur të ruhej, do ta kishte shpëtuar jetën e vet.

6 Por, në qoftë se rojtari e sheh shpatën duke ardhur, por nuk i bie bririt e kështu popullit nuk i lëshohet kushtrimi: vjen shpata dhe e merr ndonjë prej tyre: ky vërtet u bë pre e fajësisë së vet, porse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës së rojtarit.

7 Ty, o biri i njeriut, unë të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoji ata në emër tim.

8 Në qoftë se unë të them për të paudhin: ‘I paudhë, do të vdesësh!’, e ti nuk i thua që i patenzoni të largohet nga udha e tij e mbrapshtë, i paudhi do të vdesë në fajësinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate.

9 Por, në qoftë se e qorton të patenzonin, që të kthehet nga rruga e vet e ligë, kurse ai nuk kthehet, ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde.

Kthimi e shkthimi

10 Kurse ti, biri i njeriut, thuaji shtëpisë së Izraelit: ju po i përsëritni këto fjalë: ‘Fajësitë tona e mëkatet tona peshojnë mbi ne dhe ne në to po shkrihemi. Si, pra, do të mundemi të mbetemi gjallë?’

11 Ti thuaju: Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ nuk e dua vdekjen e të patenzonit, por dua që i patenzoni të kthehet nga rruga e ligë e të jetojë! Kthehuni, kthehuni nga rrugët tuaja të këqija! E pse të vdisni, o shtëpia e Izraelit!

12 E ti, o biri i njeriut, thuaju bijve të popullit tënd: Drejtësia e të drejtit nuk do ta shpëtojë ditën që të ketë mëkatuar dhe paudhësia e të paudhit nuk do ta dëmtojë me ditën që të kthehet nga paudhësia e vet; as i drejti nuk do të mund të jetojë në drejtësinë e vet që prej ditës që të ketë mëkatuar!

13 Në qoftë se edhe vetë i them të drejtit se do të jetojë, e ai, duke shpresuar, në drejtësinë e vet, bën paudhësi, të gjitha drejtësitë e tij do të lihen në harresë dhe në paudhësinë e vet, në atë që e ka bërë, në të do të vdesë!

14 Po gjithashtu, nëse i them të paudhit: ‘Ti do të vdesësh!’, por nëse ai kthehet nga mëkati i vet e bën të drejtën e drejtësinë,

15 ai i paudhë e kthen pengun dhe shpërblen cubninë, i zbaton urdhërimet e jetës dhe nuk bën asgjë që është e padrejtë, do të jetojë e nuk do të vdesë!

16 Të gjitha mëkatet që bëri, nuk do t’i numërohen: po e bëri të drejtën e drejtësinë e do të jetojë!

17 Bijtë e popullit tënd thonë: ‘S’është e drejtë mënyra e veprimit të Zotit’! Në të vërtetë, mënyra e veprimit të tyre nuk është e drejtë!

18 Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën të keqen, do të vdesë në të keqen;

19 e kur i paudhi e lë të keqen e vet e bën të drejtën e drejtësinë, në to do të jetojë.

20 Por ju thoni: ‘Mënyra e veprimit të Zotit nuk është e drejtë’. Unë do t’ju gjykoj, o shtëpia e Izraelit, secilin sipas udhës së vet!”

Pushtimi i qytetit

21 Të dymbëdhjetin vit, të dhjetin muaj, më pesë të muajit të shpërnguljes sonë, erdhi tek unë një i ikur nga Jerusalemi e më tha: “Qyteti u pushtua!”

22 Mirëpo, dora e Zotit kishte rënë mbi mua në sy të asaj dite kur më erdhi ky i ikur. Zoti më çeli gojën para se ai të vinte në mëngjes dhe, njëherë zhdërvjedhur goja ime, më nuk mbeta memec.

Shkretimi i vendit

23 Më qe drejtuar fjala e Zotit e më tha:

24 ”Biri i njeriut, ata që jetojnë në këto rrënoja në truallin e Izraelit thonë: ‘Abrahami ishte i vetëm dhe gjithë këtë tokë e pati pronë e ne jemi shumë ‑ neve na u dha toka për pronë.’

25 Prandaj, thuaju atyre: Kështu thotë Zoti Hyj: Ju e hani mishin me gjak, sytë i ngritni drejt idhujve tuaj edhe derdhni gjak ‑ vallë, a juve iu takon për pronë kjo tokë?

26 Mbështeteni në shpatat tuaja, bëni turpësi, e secili e dhunon gruan e të afërmit të vet ‑ vallë, a juve ju takon për pronë kjo tokë?

27 Kështu thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj. Pasha mua, ata që banojnë në rrënoja, prej shpatës do të bien, ai që është në fushë, do t’u jepet egërsirave për ta ngrënë e ata që janë në kulla e në shpella, do të vdesin nga murtaja.

28 Vendin do ta bëj shkretëtirë të pabanuar, do të zhduket përgjithmonë krenaria e tij e paturpshme. Të shkreta do të mbesin malet e Izraelit, kështu që askush s’do të kalojë më nëpër to.

29 Kur tokën e tyre ta kem shpartalluar e shkretuar për shkak të të gjitha turpësive që i bënë, atëherë do ta kuptojnë se unë jam Zoti.”

Rrjedhojat e predikimit

30 “Biri i njeriut, bijtë e popullit tënd flasin për ty përbri muresh e në dyer të shtëpive e i thonë njëri‑tjetrit: ‘Ejani e dëgjoni ç’fjalë vjen prej Zotit!’

31 E vijnë te ti si në kuvendin e dheut. Ulen para teje e i dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i zbatojnë: bëjnë gjasme u pëlqejnë, por zemra e tyre jepet pas dobisë së pandershme.

32 Je bërë për ta si këngë dashurie, që këndohet me zë të këndshëm e shoqërohet me muzikë të ëmbël: i dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i zbatojnë.

33 E kur të ndodhë çfarë u parapa ‑ dhe ja po vjen ‑ atëherë do ta dinë se ka qenë ndër ta një profet.”



Fjala e Zotit