1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 2 “Biri i njeriut, sillu me fytyrë kah Gogu, në tokën e Magogut, prijësit kryeparë të Mosokut e të Tubalit, e profetizo kundër tij.
3 Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po sulem kundër teje, o Gog, prijësi i parë i Mosokut e i Tubalit!
4 Unë do të të rrethoj e do t’i mbërthej grremçat në nofullat e tua. Do të të nxjerr ty dhe mbarë ushtrinë tënde ‑ kuaj e kalorës, të gjithë të veshur në mënyrë të përsosur, një shumicë të madhe me mburoja e shqyta që ngjeshin shpatën.
5 Me ta edhe persianët, kusët e futët, të gjithë me shqyta e me përkrenare.
6 Gomerin e të gjithë ushtrinë e tij, shtëpinë Togorma nga skaji i Veriut e tërë ushtrinë e tij ‑ popuj të shumtë me ty.
7 Bëhu gati e rreshtohu me mbarë shumicën tënde që u bashkua rreth teje, ji gati për të më shërbyer!
8 Pas shumë ditësh do të marrësh urdhrin: rreth mbarimit të viteve do të sulesh kundër një vendi që shpëtoi nga shpata e është kthyer nga popuj të shumtë në malet e Izraelit, të cilat për një kohë të gjatë mbetën të shkreta. Këta u riatdhesuan dhe tashti jetojnë në qetësi.
9 Do të vish, do të sulesh porsi stuhia, porsi thellimi, për ta mbuluar tokën, ti dhe ushtria jote e me ty popuj të shumtë.
10 Kështu thotë Zoti Hyj: Atë ditë do të të vlojnë në kokë mendime të ndryshme e do të sendërtosh synime të këqija
11 e do të thuash: ‘Do ta sulmoj vendin e pambrojtur, po i sulmoj njerëzit që jetojnë të qetë! Të gjithë jetojnë pa mure rrethuese; s’kanë shula në dyer as dyer!’;
12 me qëllim që të rrëm tani besh plaçka e të bësh pre, të vësh dorë mbi rrënojat tani të ripopulluara e mbi popullin që u bashkua nga popujt e shtoi bagëti e pasuri e banon në kërthizën e dheut.
13 Seba, Dedani e tregtarët e Tarsisit me prijësit e tij do të të pyesin: ‘Vallë, a po sulmon për të bërë pre? Vallë, a për të plaçkitur e bashkove ushtrinë tënde, për të rrëmbyer ar e argjend, për të rrëmbyer bagëti e pasuri, për të grabitur pre të pamasë?
14 Prandaj, profetizo, biri i njeriut, e thuaj Gogut: Kështu thotë Zoti Hyj: Vallë, a atë ditë kur populli im Izraeli do të jetojë në qetësi të sigurt, do të nisesh kundër tij?
15 Do të nisesh prej vendit tënd, nga veriu i skajshëm, ti e popuj të shumtë me ty, të gjithë kalorës ‑ shumicë e madhe e ushtri e tmerrshme.
16 Do të sulmosh popullin tim Izraelin porsi reja për ta mbuluar tokën. Por, në ditën e fundit, do të të çoj në tokën time që popujt të më njohin mua, kur unë ta kem dëftuar mbi ty shenjtërinë time ndër sy të tyre, o Gog!
17 Kështu thotë Zoti Hyj: Ti pra, je ai, për të cilin kam thënë në ditët e dikurshme me gojë të shërbëtorëve të mi, profetëve të Izraelit, të cilët vjet me radhë profetizuan në ato ditë se do të të çoj ty kundër tyre.
18 Atë ditë, ditën kur Gogu të sulet kundër tokës së Izraelit ‑ thotë Zoti Hyj ‑ do të zbrazet zemërimi im në furinë time.
19 Në mendjen e zezë timen e në flakën e zemërimit tim, vendosa: atë ditë do të jetë trandje e madhe në tokën e Izraelit,
20 do të dridhen para fytyrës sime peshqit e detit, shpendët e qiellit, egërsirat e fushës, zvarranikët e çdo lloji që lëvizin mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë përmbi sipërfaqe të dheut. Do të kapërdihen malet, do të pëlcasin qetat e çdo mur do të rrëzohet përdhe!
21 Do të thërras kundër tij shpatën në të gjitha malet e mia ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ shpata e secilit do të drejtohet kundër vëllait të vet.
22 Do ta dënoj me murtajë e me gjak! Me shi të tmerrshëm e me gurë breshëri! Do të derdh mbi të porsi shiun zjarr e sulfur, mbi të e mbi ushtrinë e tij dhe mbi popuj të shumtë që janë me të:
23 do të madhërohem, do të shenjtërohem e do të bëhem i njohur ndër sy të popujve të panumërt: atëherë do ta dinë se unë jam Zoti!