1 E ti, o biri i njeriut, profetizo kundër Gogut e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, në shpinë më ke, o Gog, prijësi kryeparë i Mosokut e i Tubalit!
2 Do të të tërheq, do të të josh, do të të bëj të vish nga Veriu i skajshëm dhe do të të sjell në malet e Izraelit.
3 Do ta hedh përtokë harkun prej dorës sate të majtë e do t’i flak shigjetat e tua prej të djathtës sate!
4 Do të vritesh mbi malet e Izraelit, ti dhe mbarë çetat e tua edhe popujt që janë me ty! Të dhashë për ushqim shpendëve grabitqarë, të gjithë fluturakëve dhe egërsirave të tokës.
5 Do të biesh në fushë të hapët, sepse kështu e kam thënë unë ‑ është fjala e Zotit Hyj!
6 Do të çoj zjarr mbi Magog dhe mbi ata që të qetë banojnë në ishuj dhe do ta dinë se unë jam Zoti.
7 Të njohur do ta bëj emrin tim të shenjtë në mes të popullit tim Izraelit e nuk do të lejoj të përlyhet Emri im i shenjtë! Paganët do ta dinë se unë jam Zoti, Shenjti në Izrael!
8 Ja, erdhi, u bë ‑ thotë Zoti Hyj ‑ kjo është dita për të cilën kam folur!
9 Banorët do të dalin prej qyteteve të Izraelit e do t’i ndezin e do t’i djegin armët: mburojë e shqyt, hark e shigjetë, heshtë, çumak e mëzdrak ‑ do t’i djegin për shtatë vjet!
10 Nuk do të mbartin dru nga arat as nuk do të presin në pyje, sepse zjarr do të bëjnë me armë. Do t’i rrëmbejnë ata që i kanë rrëmbyer, do t’i bëjnë pre ata që i patën bërë pre ‑ thotë Zoti Hyj.
11 Atë ditë do t’ia jap Gogut për varresë vendin e përmendur në Izrael: Luginën e udhëtarëve në lindje të detit, që ua mbyll udhën kalimtarëve. Aty do të varroset Gogu dhe mbarë ushtria e tij. Ajo do të quhet Lugina e Shumicës së Gogut.
12 Do t’i rëmojnë izraelitët për shtatë muaj për ta pastruar vendin.
13 Do t’i varrosë mbarë populli i vendit e kjo ditë do të jetë e përmendur për ta, sepse këtë ditë unë i dhashë lavdi vetvetes ‑ thotë Zoti Hyj.
14 Do të caktojnë njerëzit, të cilët do ta përshkojnë vendin për t’i varrosur ata që kanë mbetur mbi dhe, për ta bërë vendin të pastër. Por edhe pas shtatë muajve,
15 do të vazhdojnë t’i kërkojnë e do ta përshkojnë vendin, e, nëse gjejnë eshtra njeriu, do të ngulin përgjatë tyre shenjën që varrtarët t’i varrosin në Luginën e Shumicës së Gogut.
16 Qyteti quhet Amonë. Kështu do ta pastrojnë vendin.
17 Ti, pra, o biri i njeriut: Kështu thotë Zoti Hyj: Thuaji çdo fluturaku, të gjithë shpendëve e të gjitha egërsirave të fushës: Bashkohuni, ejani shpejt, mblidhuni nga çdo anë në flinë time, që unë po jua bëj gati! Në flinë e madhe mbi malet e Izraelit që të hani mish e të pini gjak!
18 Hani mish trimash e pini gjak princash të tokës: desh, qengja, cjep e mëzetër të majmë, të gjithë nga Basani.
19 Do të hani e do të ngiheni me dhjamë e do të pini derisa të deheni me gjak të flisë që unë po e ther për ju.
20 Do të ngiheni në tryezën time me mish kuajsh shale e karroce, me mish trimash dhe luftëtarësh ‑ thotë Zoti Hyj!”
Përfundimi
21 “Kështu do ta dëftoj lavdinë time ndër popuj e të gjithë popujt do ta shohin gjyqin që do ta bëj dhe dorën që do ta rëndoj mbi ta.
22 E shtëpia e Izraelit do ta dijë se unë jam Zoti, Hyji i tyre, prej asaj dite e përgjithmonë.
23 Por do ta marrin vesh edhe paganët se shtëpia e Izraelit ka qenë tretur në skllavëri për shkak të fajësisë së vet, sepse më patën lënë mua. Këndej e fsheha fytyrën time prej tyre, i lashë në duart e armiqve të tyre që të sharrojnë prej shpatës.
24 U solla me ta sipas papastërtisë së tyre e fajësisë së tyre dhe prej tyre e fsheha fytyrën time.
25 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Tani do t’ia kthej fatin e mirë Jakobit, do ta përdëllej mbarë shtëpinë e Izraelit e do të dëftohem i zellshëm për nder të emrit tim të shenjtë.
26 Do t’ua fal çdo turpësi dhe pabesnikëri që ma bënë ndërsa ende jetonin të qetë në vendin e vet, kur nuk kishin nga kush të druanin.
27 E kur t’i kem riatdhesuar nga popujt e t’i kem bashkuar nga vendet e armiqve të tyre e ta kem dëftuar shenjtërinë time në ta në sy të popujve të panumërt,
28 atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, Hyji i tyre, që i pata humbur ndër popuj, por edhe që i bashkova në vendin e vet duke mos lënë atje asnjë.
29 Më nuk do ta fsheh fytyrën time para tyre, sepse do ta zbraz shpirtin tim mbi shtëpinë e Izraelit ‑ thotë Zoti Hyj.”