1 Në fillim të vitit të njëzetepestë të shpërnguljes sonë, të dhjetën ditë të muajit, të katërmbëdhjetin vit pasi qe pushtuar Qyteti, po atë ditë, ra mbi mua dora e Zotit. Ai më çoi atje.
2 Në vegime hyjnore më çoi në tokën e Izraelit dhe më uli në majë të një mali shumë të lartë, mbi të cilin ishte ndërtuar pothuajse një qytet i tërë në krahun e jugut.
3 Ai më futi brenda. Dhe ja, një njeri i ndritshëm porsi kallaji, me litar të linjtë në dorë, me kallam mase në dorë, qëndronte në derë.
4 Ky njeri foli me mua e më tha: “Biri i njeriut, vëzhgo e dëgjo me kujdes dhe vërjua mendjen të gjithave që do të t’i dëftoj, sepse je sjellë këtu që të të dëftohen këto. Kumtoja shtëpisë së Izraelit gjithçka të shohësh këtu.”
Muri i jashtëm
5 Dhe, ja, godina ishte e rrethuar gjithkund përjashta me mur. Kallami i masës që njeriu e kishte në dorë ishte gjashtë kutesh, çdo kut ishte një pëllëmbë më i gjatë. Ai e mati godinën: gjerësia një kallam e lartësia një kallam.
Dera e lindjes
6 Erdhi te dera që shikon në drejtim të lindjes, u ngjit shkallëve dhe e mati pragun e derës: gjerësia një kallam.
7 Dhoma një kallam e gjatë e një kallam e gjerë. Ndërmjet dhomave pesë kute: edhe pragu i tremes përgjatë paraderës: një kallam.
8 E mati edhe tremen e derës:
9 tetë kute, shtyllakët: dy kutesh. Tremja e derës ishte brenda.
10 Dhomat e derës së lindjes ishin tri në njërën anë e tri në anën tjetër. Kishin të njëjtën masë. Po ashtu edhe shtyllakët: në të dy anët ishin po me atë masë.
11 E mati edhe gjerësinë e hyrjes në treme: ishte dhjetë kutesh; gjatësia e derës trembëdhjetë kutesh.
12 Para dhomave, në njërën anë e në tjetrën, ishin parmakët prej afro një kuti. Secila dhomë: gjashtë kute në njërën anë e gjashtë kute në anën tjetër.
13 Pastaj e mati derën prej pullazit të njërës dhomë deri në pullazin e asaj përballë: gjerësia njëzet e pesë kute prej njërës hyrje në tjetrën, /14/15 prej ballit të hyrjes së derës deri te balli i hyrjes së tremes përbrenda, pesëdhjetë kute.
16 Dhomat dhe në mbidyert e tyre kishin dritare me kangjella rreth e rreth përbrenda. Po ashtu ishin dritaret edhe në treme rreth e rreth përbrenda, kurse në shtyllakët palma të pikturuara.
Oborri i jashtëm
17 Më çoi edhe në oborrin e jashtëm. Dhe, ja, dhoma e trualli i shtruar me rrasa rreth e rreth oborrit: tridhjetë dhoma gjatë truallit të shtruar me rrasa.
18 Kalldrëmi ishte në të dy anët e dyerve me përmasa të derës. Ky ishte kalldrëmi i poshtëm.
19 Ai e mati gjerësinë e oborrit prej faqes së derës së poshtme deri në ballin e derës së brendshme përjashta: njëqind kute. Kështu në lindje e kështu në veri.
Dera e veriut e tremes
20 E mati gjerësinë e gjatësinë edhe të derës së veriut të oborrit të jashtëm.
21 Edhe ajo kishte nga tri dhoma këndej e andej. Pragjet dhe paradera e saj me përmasat e derës së mëparshme. Gjatësia e saj pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute.
22 Edhe dritaret e tremes si dhe skulpturat e palmave, sipas masës së derës në drejtim të lindjes. Në hyrje kishte shtatë shkallë. Paradera ishte përbrenda.
23 Paradera e brendshme e kishte derën përballë derës së veriut porsi në derën e lindjes. E mati nga dera në derë, njëqind kute.
Dera e jugut
24 Më çoi edhe drejt jugut dhe, ja, dera që shikonte drejt mesditës. I mati pragjet e para‑ derën: ishin sipas masave të lartpërmendura.
25 Dritaret e saj dhe tremet përreth porsi dritaret e tjera. Gjatësia ishte pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute.
26 Tek ajo ngjiteshe nëpër shtatë shkallë. Paradera ishte përbrenda. Në shtylla kishte palma të pikturuara një këndej e një andej.
27 Tremja e kishte derën në drejtim të mesditës. E mati nga dera në derë: njëqind kute në drejtim të mesditës.
Tremja e brendshme. Dera e jugut
28 Atëherë më futi në oborrin e brendshëm nëpërmjet derës së mesditës.
29 Dhomat e tij, pragjet dhe paradera: ishin me të njëjtën masë. Kishte edhe dritare, kishte edhe paradyer gjithkund përreth. Gjatësia ishte pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute. /30/31 Paradera shikonte drejt oborrit të jashtëm. Kishte palma në shtyllakë. Tek ai ngjiteshe nëpër tetë këmbë shkallësh.
Dera lindore
32 Atëherë më çoi në derë të lindjes të oborrit të brendshëm. E mati derën dhe ajo e kishte masën e mëparshme.
33 Dhomat e shtyllakët e paradera ishin me po të njëjtat masa si më lart. Kishte dritare dhe tremen rreth e rreth. Gjatësia ishte pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute.
34 Hajati shikonte drejt oborrit të jashtëm. Shtyllakët kishin të gdhendura palma këndej e andej. Hyhej në të nëpër tetë këmbë shkallësh.
Dera veriore
35 Më futi brenda edhe nëpër derën që është përballë veriut. E mati. Ishte po me ato masa të mëparshme:
36 dhomat, shtyllakët dhe tremja e saj. I kishte përreth edhe dritaret. Gjatësia pesëdhjetë kutë e gjerësia njëzet e pesë kutë.
37 Hajati shikonte drejt oborrit të jashtëm. Këndej e andej shtyllakët i kishin palmat e gdhendura. Në të ngjitej nëpër tetë këmbë shkallësh.
Kthinat shtojca
38 Ishte një kthinë me hyrje në derë të tremes. Aty lahej flia e shkrumbimit.
39 Në tremen e derës, në njërën e në tjetrën anë, ishin nga dy tryeza për të therur në to flinë e shkrumbimit, flinë për mëkat e flinë për pendesë.
40 Mbanesh, jashtë tremes, te dera e tremes, në drejtim të derës së veriut, edhe dy tavolina. Po ashtu edhe në krahun tjetër të derës së tremes dy tavolina.
41 Kështu: katër tavolina në njërën anë e katër të tjera në anën tjetër të derës: ishin tetë tavolina mbi të cilat priteshin flitë. 42a Ishin pastaj edhe katër tavolina për fli shkrumbimi, të punuara prej guri të latuar, të gjata një kut e gjysmë, të gjera një kut e gjysmë e të larta një kut. 43a Buza rreth e rreth e dhëmbëzuar një pëllëmbë prej jashtë brenda. 42b Mbi to viheshin veglat me të cilat priteshin flitë e shkrumbimit dhe flitë e tjera, 43b kurse mbi tavolina mishi i kushtimit.
44 Jashtë derës së brendshme ishin dy kthina, në tremen e brendshme: njëra ishte në anën e derës së veriut, e kthyer kah jugu, tjetra në anën e derës së jugut e kthyer kah veriu.
45 Ai më tha: “Dhoma që është e kthyer me pamje kah jugu, duhet të jetë për priftërinj që shërbejnë në rojën e Tempullit.
46 Dhoma që është me pamje kah veriu, duhet të jetë për priftërinjë që kryejnë shërbesën e lterit: këta janë bijtë e Sadokut, ata nga bijtë e Levit, të cilët kanë leje t’i afrohen Zotit për t’i shërbyer.”
Paradera e brendshme
47 E mati edhe paraderën. Ishte e gjatë njëqind kute, e gjerë njëqind kute: katrore. Në ballë të Tempullit ishte lteri.
Tempulli: Ulami ‑ hyrja kryesore
48 Atëherë më futi në treme të Tempullit. I mati shtyllakët e tremes: pesë kute këndej e pesë kute andej. Gjerësia e hyrjes ishte katërmbëdhjetë kute. Krahët e derës tre kutësh këndej e tre kutesh andej.
49 Gjatësia e paraderës ishte njëzet kutesh, kurse gjerësia dymbëdhjetë kutesh. Për dhjetë këmbë shkallë ngjiteshe tek ajo. Në pragje ishin dy shtylla: njëra në njërën anë e tjetra në tjetrën anë.