1 Atëherë më futi në Tempull. I mati shtyllakët: ishin të gjerë gjashtë kute këndej e gjashtë kute andej.
2 Gjerësia e hyrjes ishte dhjetë kutesh, kurse krahët e derës ishin pesë kute në njërën anë e pesë kute në anën tjetër. Pastaj e mati Sallën: ishte e gjatë dyzet kute dhe e gjerë njëzet kute.
Debiri ‑ Shenjtërorja e shenjtëroreve
3 Atëherë hyri dhe i mati shtyllakët e derës: dy kutesh. Pastaj mati derën: gjashtë kute; gjerësia e derës: shtatë kutesh.
4 E mati pastaj gjatësinë e saj: njëzet kute, gjerësia para sallës njëzet kute. E më tha: “Kjo është Shenjtërorja e shenjtëroreve.”
Kthinat anësore
5 E mati murin e Tempullit: gjashtë kute. Kthinat anësore ishin katër kute, rreth e rreth Tempullit.
6 Kthinat anësore ishin njëra mbi tjetrën në tri kate. Ishin anat e dala në mur të Tempullit për kthinat anësore që të kishin mbështetje, por mbështetjet nuk ishin për muri të Tempullit.
7 Gjerësia e kthinave vinte duke u rritur nga kati në kat, sepse Tempulli sa më lart, linte më shumë vend deri në majë. Kështu pra, zgjerohej Tempulli deri në majë. Nga kati i poshtëm ngjiteshe në katin e sipërm nëpër të mesmin.
8 Pashë rreth Tempullit një lartësim. Themelet e godinës anësore ishin një kallam i plotë gjashtë kutesh në lartësi.
9 Gjerësia e murit të jashtëm të godinës anësore ishte pesë kutesh. Zbrazëtia e kalimit ndërmjet kthinave anësore të Tempullit
10 e të kthinave, ishte e gjerë njëzet kute gjithkund përreth Tempullit.
11 Dyert e ndërtesës anësore ishin në krahun e zbrazëtisë së lirë: njëra derë ishte në veri e tjetra në jug. Hapësira e lirë ishte gjithkund përreth pesë kute.
Godina e perëndimit
12 Ndërtesa që ishte përballë zbrazëtisë së lirë në anë të perëndimit, ishte e gjerë shtatëdhjetë kute. Muri i godinës gjithkund përreth pesë kute i gjerë, ndërsa gjatësia e tij nëntëdhjetë kute.
13 Pastaj e mati Tempullin: ishte i gjatë njëqind kute, hapësira e rrethuar, godina dhe muret: njëqind kute gjatë.
14 Gjerësia e ballanikut të Tempullit me hapësirën e lirë: njëqind kute, në krahun e lindjes.
15 E mati edhe gjatësinë e godinës përballë hapësirës së lirë në pjesën përmbas, e rruginat këndej e andej së bashku: njëqind kute.
Stolisja e brendshme
Brendia e Tempullit, tremja e jashtme,
16 ishin të shtruara me dru. Dritaret ishin në suazë. Skajet e suazës ishin të trefishtë përballë pragut. Rruginat ishin të veshura me dru gjithkund përreth, nga trualli deri në dritare ‑ dritaret mund të mbylleshin.
17 Nga hyrja deri në brendinë e Tempullit, kështu edhe përjashta, madje edhe nëpër mbarë murin rreth e rreth, përbrenda e përjashta,
18 ishin të gdhendur kerubinë e palma: nga një palmë ndërmjet të dy kerubinëve. Kerubinët kishin nga dy fytyra,
19 në anë të palmës, në njërën anë, fytyrën e njeriut e në anën tjetër të palmës, fytyrën e luanit: kështu ishte gjithkund nëpër Tempull rreth e rreth.
20 Nga trualli e deri mbi derë ishin kerubinët e punuar po ashtu edhe palmat. Në murin e Tempullit
21 pragjet e dyerve ishin katrorë.
Lteri i drunjtë
Përpara Shenjtërores së shenjtëroreve ishte diçka
22 në përngjasim të lterit të drunjtë. Lartësinë e kishte tre kutesh, gjatësinë dy kutesh. Këndet, shtrojën e anat i kishte të drunjta. Ai njeri më tha: “Kjo është tryeza para fytyrës së Zotit.”
Dyert
23 Shenjtërorja dhe Shenjtërorja e shenjtëroreve kishin nga
24 dy dyer. Secila derë kishte nga dy krahë të lëvizshëm deri në mur: njëra derë kishte dy krahë e tjetra derë po ashtu dy krahë.
25 Në derën e Shenjtërores ishin të gdhendur kerubinët e palmat, ashtu siç ishin të gdhendur edhe në mure. Përjashta ishte pullazi i punuar përmbi treme.
26 Dritaret ishin me kangjella dhe palmat ishin në njërën e në tjetrën anë në murin e tremes e në kthinat anësore të Tempullit.