1 Fjalët e urta të Salomonit.
Djali i urtë është gëzimi i t’et,
djali i marrë është trishtimi i së ëmës.
2 Nuk vlen fare pasuria e fituar me padrejtësi,
kurse drejtësia të shpëton nga vdekja.
3 Zoti nuk lejon që i drejti të vuajë nga uria,
kurse dëshirat e të paudhëve i çon huq.
4 Dora përtace e bën të varfër njeriun,
dora punëtore e bën të pasur.
5 Kush bashkon në kohë të të korrave është djalë i urtë,
kush gërhet verës është djalë i turpërimit.
6 Bekimet e Zotit janë mbi kokë të të drejtit,
kurse gojën e të paudhëve e mbulon dhuna.
7 Kujtimi i të drejtit është në bekim,
kurse emri i keqbërësit bie në kalbësirë.
8 I urti me zemër i pranon urdhërimet,
kurse i marri me fjalë të mëdha vrapon në humbjen e vet.
9 Kush ecën me thjeshtësi, ecën i sigurt,
kush i shtrembëron udhët e veta, shpejt hetohet.
10 Kush bën me sy shkakton hidhërim,
kurse i marri me fjalë të mëdha vrapon në bjerrje të vet.
11 Burim jete goja e të drejtit,
kurse goja e të paudhëve mbulon dhunën.
12 Urrejtja shkakton grindje,
kurse dashuria i mbulon të gjitha fajet.
13 Në buzët e të urtit gjendet urtia,
kurse në shpinën e të pamendit shkopi.
14 Të urtët e ruajnë në thesar urtinë,
kurse goja e të marrit është afër bjerrjes.
15 Qyteza e pasanikut është pasuria e tij,
kurse rrënimi i skamnorëve është varfëria e tyre.
16 Puna e të drejtit është për jetë,
kurse keqbërësi prodhon për mëkat.
17 Ecën udhës së jetës kush e mban disiplinën,
kurse ai që i harron qortimet endet jashtë udhës.
18 Buzët e rreme e fshehin urrejtjen,
kush shpërndan shpifje është i marrë.
19 Në fjalë të shumta nuk mungon mëkati,
kurse kush i zotëron buzët e veta është shumë i mençur.
20 Argjend i zgjedhur është gjuha e të drejtit,
kurse zemra e të paudhëve nuk vlen asgjë.
21 Buzët e të drejtit shumë vetë mësojnë,
kurse të pamendët vdesin nga varfëria e zemrës.
22 Bekimi i Zotit bën të pasur,
kurse mundi nuk i shton asgjë.
23 Është kënaqësi për të marrin ta bëjë të keqen,
kurse urtia i takon njeriut të mençur.
24 Çka dron i patenzoti ajo edhe do ta gjejë,
kurse të drejtit do t’i plotësohet dëshira.
25 I patenzoni kalon siç kalon stuhia,
kurse i drejti do të qëndrojë për amshim.
26 Siç është uthulla për dhëmbët e tymi për sy,
i tillë është përtaci për ata që e dërguan.
27 Frika e Zotit e shton jetën,
kurse vitet e të patenzonëve shkurtohen.
28 Shpresa e të drejtit është gëzim,
kurse shpresa e të paudhëve do të humbasë.
29 Udha e Zotit është forcë për njeriun e ndershëm,
kurse ata që bëjnë të keqen do të sharrojnë.
30 I drejti nuk do të tundet askurrë,
kurse të ligjtë nuk do të banojnë mbi tokë.
31 Goja e të drejtit nxjerr urti,
gjuha e keqe do të këputet.
32 Buzët e të drejtit pikojnë kënaqësi,
kurse goja e të paudhëve qet gënjeshtra.