< Fu 10 Fu 12 >
Lexim prej librit të Fjalëve të urta(Fu 11)
11

1 Peshorja e rreme Zoti e ka bezdi,

ndërsa peshorja e drejtë është e

pëlqyeshme para tij.

2 Erdhi madhështia, s’do të vonojë poshtërimi,

kurse ndër të përvuajturit gjendet urtia.

3 Të drejtët i udhëheq thjeshtësia e tyre,

kurse poshtërsia e tyre i rrënon të patenzotët.

4 Ditën e shpagimit gjë s’vlen pasuria,

kurse drejtësia do të na lirojë nga vdekja.

5 Drejtësia e njeriut të ndershëm ia udhëheq sjelljen e tij,

kurse në paudhësinë e vet do të mbarojë i paudhi.

6 Drejtësia e të ndershmëve do t’i shpëtojë ata,

kurse të patenzonët zihen në pritat e veta.

7 Kur vdes njeriu i keq mbaron edhe shpresa,

humbet edhe shpresa në kamje.

8 I drejti shpëton nga ngushtica,

kurse keqbërësi vjen në vend të tij.

9 Me gojën e vet i paudhi e vret të afërmin,

porse të drejtët do të shpëtojnë me anë të urtisë.

10 Për fatin e mirë të të drejtëve gëzohet qyteti

dhe mbushet me hare për bjerrjen e të paudhëve.

11 Me bekimin e të drejtëve do të lartësohet qyteti,

kurse goja e të ligjve e prish atë.

12 Kush e urren të afërmin e vet është i marrë,

njeriu i urtë heshtë.

13 Zbulon edhe fshehtësitë ai që përhap shpifje,

kurse njeriu besnik mbulon çka iu tha në besë.

14 Ku s’ka udhëheqje populli shkatërrohet,

kurse shpëtimi është në këshilltarë t ë shumtë.

15 Kush i hyn të huajit dorëzanë keq do të pësojë,

është i sigurt kush e ka në iri dorëzaninë.

16 Gruaja e pashme fiton lavdi,

kurse burrat e fortë e fitojnë pasurinë.

17 Bamirësi vetvetes i bën mirë,

kurse mizori e mundon trupin e vet.

18 I paudhi merr pagë të rreme,

kurse ai që mbjell drejtësi ka shpërblim të sigurt.

19 I qëndrueshmi në drejtësi shkon drejt jetës,

kurse kush e ndjek të keqen, vrapon në vdekje.

20 Zemra e keqe i iritet Zotit,

pëlqimi i tij është te ata që jetojnë në thjeshtësi.

21 Dora‑dorës e s’do të mbetet i pandëshkuar i keqi,

kurse fara e të drejtëve do të shpëtojë.

22 Rreth i artë në turinjtë e dosës

gruaja e bukur por e pamend.

23 Të drejtët presin vetëm të mirën,

kurse shpresa e të paudhëve është e kotë.

24 Disa shpërndajnë pasurinë e vet e bëhen gjithnjë më të pasur,

disa të tjerë kursejnë pa masë e gjithmonë janë skamnorë.

25 Njeriu bujar do të përparojë,

kush i jep kujt të pijë edhe atij do t’ia shuajnë etjen.

26 Atë që e fsheh drithin njerëzit do ta mallkojnë,

kurse bekimi do të bjerë mbi koka të shitësve.

27 Kush e kërkon të mirën, gjen hirin,

kurse kush kërkon të keqen, e keqja do ta gjejë.

28 Kush e vë shpresën e vet në pasje, do të bjerë poshtë,

kurse të drejtët përparojnë porsi gjethi i blertë.

29 Kush e pështjellon shtëpinë e vet do të korrë erërat,

i marri do t’i shërbejë të urtit.

30 Fryti i të drejtit është lëndë e jetës,

i urtë është ai që i përfiton shpirtrat e gjallë.

31 Nëse i drejti shpërblehet këtu mbi tokë,

aq më tepër do të shpaguhet i paudhi e mëkatari.



Fjala e Zotit