1
Kush e do mësimin e do urtinë,
kurse kush i urren qortimet, është i marrë.
2 Kush është i mirë do të nxjerrë hir prej Zotit,
kurse njeriun gërgas Zoti e dënon.
3 Askush nuk bëhet më i fortë me paudhësi,
kurse rrënja e të drejtëve nuk do të tundet.
4 Gruaja e virtytshme është kurorë për burrin e vet,
kurse e paturpshmja është kalbësirë për eshtrat e tij.
5 Mendimet e të drejtëve janë të drejta,
kurse këshillat e të paudhëve janë gënjyese.
6 Fjalët e të paudhëve pritë gjakderdhjeje,
kurse goja e të drejtëve u sjell liri.
7 Të këqijtë birren e sharrojnë,
kurse familja e të drejtëve qëndron e patundshme.
8 Njeriu fiton lavde sipas mprehtësisë së mendjes së tij,
kurse përbuzet kush është zemërkeq.
9 Më i mirë është një skamnor që i shërben vetvetes,
se mendjemadhi që i mungon gjithçka.
10 I drejti kujdeset për jetën e bagëtive të veta,
kurse zemra e të këqijve s’di për mëshirë.
11 Kush e punon tokën e vet, do të ngihet bukë,
kurse kush vrapon pas kotësive, është i pamend.
12 Rrjetë të këqijash është dëshira e keqbërësit,
porse rrënja e të drejtëve do të përparojë.
13 I keqi bie në rrjetë për shkak të mëkateve të buzëve të veta,
kurse i drejti do të shpëtojë nga ngushtica.
14 Njeriu do të mbushet me të mira nga frytet e gojës së vet,
do të shpaguhet sipas veprave të duarve të veta.
15 Të marrit sjellja e vet i duket e urtë,
porse këshillat i dëgjon kush është i urtë.
16 I marri menjëherë e dëfton zemërimin e vet,
kurse i mençuri e fsheh fyerjen.
17 Kush flet të vërtetën, tregon të drejtën,
kurse dëshmitari i rremë tradhtinë.
18 Kush flet pa peshuar, ther me shpatë,
kurse gjuha e të urtëve është shërim.
19 Buza që flet të vërtetën, qëndron përgjithmonë,
kurse gjuha që gënjen vetëm për pak kohë.
20 Gënjeshtra është në zemrën e atyre që mendojnë të keqen,
kurse gëzojnë ata që këshillojnë paqen.
21 Të drejtin nuk e gjen asnjë e keqe,
kurse të paudhët do të mbushen me të këqija.
22 Zotit i neveriten buzët rrenacake,
kurse i pëlqejnë ata që flasin të vërtetën.
23 Njeriu i kujtueshëm e fsheh urtinë,
kurse zemra e të pamendit e shpall marrinë e vet.
24 Dora e të kujdesshmit sundon,
kurse dora e përtacit çon në nënshtrim.
25 Trishtimi i brendshëm e përul burrin,
kurse lajmi i mirë e gëzon atë.
26 I drejti e udhëheq drejt mikun e vet,
kurse sjellja e të padrejtëve do t’i gënjejë ata.
27 Përtaci nuk do ta pjekë gjahun e vet,
pasuri të çmueshme do të ketë njeriu i kujdesshëm.
28 Në udhën e drejtësisë gjendet jeta,
por ka edhe udhë të hapur që shpie në vdekje.