1 Përgjigjja e ëmbël e zbut hidhërimin,
fjala e rëndë ngreh zemërimin.
2 Gjuha e të urtëve pikon dijen,
goja e të marrëve valon marrëzinë.
3 Sytë e Zotit janë në çdo vend:
i vrojtojnë të marrët e të urtët.
4 Gjuha e ëmbël është dru e jetës,
kurse e ashpra plagos shpirtin.
5 I pamendi e përqesh mësimin e t’et,
ndërsa kush i pranon qortimet, bëhet më i urtë.
6 Në shtëpinë e të urtit pasuri e madhe,
fryti i të patenzonit shkatërrimi.
7 Buzët e të urtëve mbjellin urtinë
zemra e të marrëve nuk do të jetë e drejtë.
8 Flitë e të patenzonëve i neveriten Zotit
kurse kushtet e të drejtëve i pëlqejnë Atij.
9 Zoti e urren sjelljen e të paudhit,
kurse e do atë që e ndjek drejtësinë.
10 Ndëshkim të rëndë ka kush e lë udhën e drejtë,
kush i urren qortimet, do të vdesë.
11 Nëntoka dhe Humnera janë para Zotit:
aq më tepër zemra e bijve të njerëzve!
12 Përqeshësi nuk e do atë që e qorton,
ai nuk shkon me të urtët.
13 Zemra e gëzuar e kthjell fytyrën,
kurse në hidhërim të zemrës shpirti ligështohet.
14 Zemra e të urtit kërkon mësimin,
kurse goja e të marrit ushqehet me marrëzirë.
15 Të gjitha ditët e të mjeruarit janë të këqija,
zemërhareshmi vazhdimisht ka gosti.
16 Më shumë vlen pakica me frikën e Zotit,
se visare të mëdha e me to shqetësimi.
17 Më mirë një lëng barishtesh me dashuri,
se mish viçi të majmë me urrejtje.
18 Idhnaku shkakton grindje,
kurse njeriu i durueshëm i zbut ato.
19 Udha e përtacit si gardh ferrash,
kurse udha e të drejtëve e sheshuar.
20 Djali i urtë e gëzon babain,
njeriu i marrë e përbuz nënën e vet.
21 Për të pamendin marrëzira është gëzim,
kurse njeriu i mençur ecën drejt udhës së vet.
22 Ku s’ka këshill, shkojnë kotsynimet,
sendërtohen ku ka këshilltarë mjaft.
23 Njeriu i gëzohet përgjigjes së gojës së vet,
e fjala me kohë e me vend sa e mirë që është!
24 Njeriun e mençur udha e jetës e shpie përpjetë,
që t’i shmanget Nëntokës që është poshtë.
25 Zoti do ta rrënojë shtëpinë e krenarëve,
kurse do t’i bëjë të fortë kufijtë e vejushës.
26 Mendimet e këqija i neveriten Zotit,
kurse fjala e pastër është shumë e bekuar.
27 Shkatërron shtëpinë e vet kush jepet pas lakmimit,
kurse do të jetojë ai që i urren ryshfetet.
28 Mendja e të drejtit mendon njëherë e
atëherë përgjigjet,
kurse goja e të paudhëve bumullon me të këqija.
29 Zoti është larg nga të pashpirtët,
kurse lutjet e të drejtëve i dëgjon.
30 Drita e syve gëzon shpirtin,
zëri i mirë i maj eshtrat.
31 Veshi që i dëgjon qortimet e jetës
qëndron në mes të urtëve.
32 Kush i shmanget disiplinës, e urren jetën e vet,
kurse ai që i pranon qortimet, fiton maturinë.
33 Frika e Zotit mësim urtësie
edhe lavdisë i prin përvujtëria.