1 Njeriut i takon të përgatitet,
por përgjigjen e gjuhës e jep Zoti.
2 Të gjitha udhët e njeriut janë të pastërta në sy të tij,
porse Zoti i shqyrton shpirtrat.
3 Porositja Zotit veprat e tua,
synimet e tua do të sendërtohen.
4 Zoti ka krijuar gjithçka me një qëllim
deri edhe të patenzonin për ditën e zezë.
5 Çdo krenar i neveritet Zotit,
heret ose vonë e s’do të mbetet pa ndëshkim.
6 Me mëshirë e me besnikëri pastrohet paudhësia,
e me frikën e Zotit i shmangemi të keqes.
7 Kur Zotit t’i pëlqejnë sjelljet e njeriut,
i pajton me të deri edhe armiqtë e tij.
8 Më e mirë është pakica me drejtësi,
se fitesat e mëdha pa drejtësi.
9 Zemra e njeriut e kërkon udhën e vet,
por i takon Zotit t’ia drejtojë hapat.
10 Vendimi i Zotit në buzë të mbretit,
në vendimin gjykues goja e tij s’do të gabojë.
11 Masat e peshoret të drejta janë të Zotit,
po edhe të gjithë gurët janë vepër e tij.
12 Puna e keqe u iritet mbretërve,
sepse me drejtësi forcohet froni.
13 Buzët e drejta fitojnë përkrahjen e mbretit,
kush flet të drejtën do të duhet.
14 Zemërim i mbretit është lajmëtari i vdekjes,
por njeriu i mençur e lehtëson.
15 Në fytyrën e kthjellët të mbretit është jeta,
siç është shiu me kohë përkrahja e tij.
16 Oh sa më mirë është të fitojë njeriu
urtësinë sesa arin,
të fitojë mençurinë është më e çmueshme se argjendi.
17 Udha e të drejtëve është t’i shmangen të keqes,
kush do ta mbrojë jetën e vet ka kujdes sjelljen.
18 Para rrënimit ecën krenaria,
para shkatërrimit mendja e madhe.
19 Më mirë të jetë njeriu i përvuajtur me të butët
se të ndajë pre me krenarët.
20 Kush është i kujdesshëm në fjalë, do të gjejë të mira
dhe ai, që shpreson në Zotin, është i lum.
21 Kush është mendjemprehtë, do të quhet i mençur,
dhe buzët fjalëmbla e shtojnë urtinë.
22 Urtia është krua jete për atë që e ka,
ndëshkimi i të marrëve marrëzira.
23 Zemra e të urtit e mëson gojën e tij:
dhe buzëve të tija ua shton urtinë.
24 Fjalët e ëmbla janë hoje mjalti,
kënaqësi e shpirtit e shëndet eshtrash.
25 Ka udhë që njeriut i duket e drejtë,
por në fund shpie në vdekje.
26 Uria e bën punëtorin të punojë:
është goja e tij që e shtyn.
27 I pafytyri bën veç keq,
në buzët e tija veç zjarr e shkëndi.
28 Njeriu i pacipë shkakton grindje,
shpifësi ndan familjet.
29 Njeriu i keq e ngashnjen mikun e vet
dhe e udhëheq udhës jo të mirë.
30 Kush mbyll sytë përsiat gënjimin,
kur i mbyll buzët e ka sendërtuar të keqen.
31 Flokët e zbardhur janë kurorë lavdie:
gjenden në udhën e drejtësisë.
32 Më i mirë është njeriu i durueshëm se trimi i fortë,
dhe ai që zotëron vetveten se ai që pushton qytete.
33 Shorti hidhet në palën e petkut,
por ç’do të ndodhë vjen prej Zotit.