1
Më e mirë është një kafshatë buke të thatë me paqe,
se një shtëpi plot mish flish, por me grindje.
2 Shërbëtori i mençur i mbizotëron bijtë e pandershëm
dhe do të ketë trashëgim ndër vëllezër.
3 Sikurse në zjarr sprovohet argjendi dhe në furrë ari,
po ashtu Zoti i sprovon zemrat.
4 Keqbërësi i dëgjon buzët e paudha,
rrenacaku ia vë veshin gjuhës gënjyese.
5 Kush e përbuz skmanorin poshtëron Krijuesin e tij,
dhe kush i kënaqet të keqes së shokut, s’do të mbetet i pandëshkuar.
6 Kurora e pleqve bijtë e të bijve,
lavdia e bijve etërit e tyre.
7 S’i kanë hije të marrit fjalët e bukura,
as princit buza rrenacake.
8 Dhurata është margaritar magjik për të zotin:
ngado të sillet puna i shkon mbarë.
9 Kush mbulon fajin, kërkon miqësi,
kush shpërhall, i largon edhe miqtë e ngushtë.
10 Më shumë i vlen të mençurit një qortim
se të marrit njëqind të rrahura.
11 Burri i keq gjithmonë kërkon grindje,
por kundër tij do të dërgohet një bajloz mizor.
12 Më mirë të takohesh me arushën që ia kanë rrëmbyer këlyshët,
se me marranin që beson në marrëzinë e vet.
13 Kush e shpërblen të mirën me të keqe,
prej shtëpisë së tij kurrë s’do të largohet e keqja.
14 Shpërthim ujërash vërshimi është fillimi i grindjes,
prandaj, para se të niset zënia, largohu.
15 Si ai që nxjerr të pafajmë të ligun si ai që dënon të drejtin, të dy i neveriten Zotit.
16 Ç’vlerë kanë paratë në dorën e të marrit?
Për të blerë urtësinë? Po ai s’ka mend!
17 Kush është mik ai do në çdo kohë
dhe në ditë të ngushtë ai bëhet vëlla.
18 Është mendjeshkurtër kush jep dorën
e hyn dorëzanë për të afërmin e vet.
19 E do mëkatin kush e do grindjen,
kush e lartëson derën e vet, kërkon rrënimin.
20 Zemërkeqi nuk do të shohë mirë,
e kush s’e rrudhë gjuhën, do të bjerë në mjerim.
21 Kush lind të marrin, lind pikëllimin e vet;
jo, s’do të gëzohet as baba i të marrit.
22 Zemra e gëzuar bën të lulëzojë jeta,
shpirti i trishtueshëm i than edhe eshtrat.
23 I ligu merr dhurata nga gjiri
për t’i shtrembëruar udhët e gjyqit.
24 Urtia ndriçon në fytyrën e të mençurit,
kurse të marrit sytë i shkojnë në skaj të botës.
25 Djali i marrë farmak për babain,
dhe vuajtje për nënën që e lindi.
26 S’është mirë të ndëshkohet i drejti,
të rrahet njeriu i ndershëm është kundër drejtësisë.
27 Kush i frenon fjalët e veta, është njeri i mençur,
kush di të ruajë qetësinë, është njeri i matur.
28 Edhe i marri, po të heshte, do të çmohej i mendshëm,
e, po t’i rrudhte buzët e veta, i kuptueshëm.