< Fu 19 Fu 21 >
Lexim prej librit të Fjalëve të urta(Fu 20)
20

1 Vera sjell shfrenim e alkooli bën njerëz të pacipë,

kushdo jepet pas tyre, nuk do të jetë kurrë i urtë.

2 Zemërimii i mbretit porsi ulërima e luanit:

kush e nget, mëkaton kundër vetvetes.

3 Është nder për njeriun t’u shmanget rragatjeve,

porse të gjithë të marrët përzihen në grindje.

4 Ngase pati të ftoftë përtaci, s’deshi të lërojë;

do të dalë të lypë verës, por s’do t’i japin.

5 Këshilli në zemrën e njeriut është si uji në thellësi,

por i mençuri do t’ia dalë ta nxjerrë.

6 Shumë njerëz mbahen për të mirë:

por kush mund ta gjejë një njeri besnik?

7 I drejti që jeton në ndershmërinë e vet

do t’i lërë pas fëmijët e vet të lumtur.

8 Mbreti, kur rri në fronin gjykatës të vet

me sy i shqyrton të gjitha të këqijat.

9 Kush mund të thotë: “E pastrova zemrën time,

jam i pastër nga mëkati”?

10 Peshore e peshore, masë e masë:

të dyja janë në iri te Zoti.

11 Edhe fëmija njihet sipas asaj që bën:

a është vepra e tij e pastër dhe e drejtë.

12 Edhe veshin që dëgjon edhe syrin që shikon:

të dy Zoti i ka bërë.

13 Mos ta ketë ëndja gjumin që të mos ndrydhë skamja,

mbaj sytë hapur nëse do të ngihesh me bukë.

14 “E keqe është, e keqe është!”, thotë çdo blerës,

por si të largohet, atëherë lëvdohet.

15 Ka ar e mbushulli margaritarësh,

por gjëja më e çmueshmja janë buzët e urtësisë.

16 Merrja petkun e shtatit atij, që i hyri dorëzanë të huajit:

prej tij merre pengun në vend që prej të huajve.

17 E ëmbël i duket njëherë njeriut buka e gënjeshtrës,

por pastaj goja i mbushet me guraleca.

18 Synimet forcohen me këshill:

bjer në luftë pasi të jesh menduar mirë!

19 Me atë që zbulon fshehtësitë e shpifjet

dhe që s’i mban goja arra, mos bëj shoqëri.

20 Kush nëm babain e vet e nënën

iu fiktë drita në mes të errësirës.

21 Pasuria e fituar shpejt në fillim

s’do të dalë e bekuar në fund.

22 Mos thuaj: “Do ta kthej të keqen që m’u bë!”,

ki besim në Zotin e ai do të të shpëtojë.

23 Peshë e peshë i iritet Zotit,

peshorja e rreme nuk është e mirë para syve të tij.

24 Zoti i drejton hapat e njeriut;

e si atëherë njeriu mund ta dijë udhën e vet?

25 Është lak për njeriun të thotë: “Po bëj kusht!”,

e pastaj të shqyrtojë çka kushtoi.

26 Mbreti i urtë i shqyrton mirë mëkatarët

e pastaj i shkel me rrotë.

27 Dritëz e Zotit është shpirti i njeriut

që depërton deri në fund të zemrës.

28 Mëshira dhe e vërteta e ruajnë mbretin,

me butësi ai e përforcon fronin e vet.

29 Stolia e të rinjve është fuqia e tyre,

kurse flokët e thinjur janë stolia e pleqve.

30 Plaga që kullon shëron të ligën,

po ashtu edhe të rrahurat palcën e qenies.



Fjala e Zotit