< Fu 20 Fu 22 >
Lexim prej librit të Fjalëve të urta(Fu 21)
21

1 Zemra e mbretit si rrëketë e ujërave është në dorë të Zotit:

gjithkah të dojë e sjellë atë.

2 Në sytë e njeriut të gjitha udhët janë të drejta,

por ai që i peshon zemrat është Zoti.

3 Të zbatohet mëshira dhe e drejta

i pëlqen Zotit më tepër se flitë.

4 Sytë madhështorë, zemra krenare,

dritëza e të paudhëve, ja, çfarë është mëkati!

5 Synimet e të kujdesshmit gjithmonë shpien në mbushulli,

kurse kush ngutet, mbetet në skamje.

6 Pasuria e fituar në saje të rrenave

është vesë para diellit të njerëzve që kërkojnë vdekjen.

7 Mujshia e mëkatarëve ata vetë i zhduk

sepse s’duan ta bëjnë të drejtën.

8 Udha e mbrapshtë e njeriut është e vështirë,

ndërsa e drejta është vepra e njeriut të pastër.

9 Më mirë është të jetosh në një kënd të pullazit,

se të banosh së bashku në shtëpi me grua grindavece.

10 Shpirti i keqbërësit dëshiron të keqen,

as i afërmi i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij.

11 Kur ndëshkohet përqeshësi edhe i

padijshmi bëhet i mençur,

kur e mëson të urtin, e shton dijen.

12 I Drejti e vëren shtëpinë e të paudhit

dhe keqbërësit i plandos në mjerim.

13 Kush i mbyll veshët në klithmën e skamnorit,

edhe ai do të thërrasë, por nuk do të dëgjohet.

14 Dhurata e dhënë fshehtë pajton zemërimin,

dhurata e dhënë nën dorë edhe zemërimin.

15 Për të drejtin është kënaqësi të ushtrojë të drejtën,

kurse për keqbërës është vdekje.

16 Njeriu, që e lë udhën e maturisë,

do të banojë në bashkësinë e hijeve.

17 Ai që i do kënaqat, do të mbesë në skamje,

dhe ai që i do verën dhe ushqimet e mira, nuk do të begatet.

18 Keqbërësi do të jetë shpagim për të drejtin,

i patenzoni për njerëzit e drejtë.

19 Më mirë është të banohet në vend të shkretë

se me një grua grindavece e idhnake.

20 Në banesën e të urtit ka visar të paçmueshëm

dhe të gjitha të mirat,

por njeriu i pamatur i shpërndan.

21 Kush ndjek drejtësinë e mëshirën,

do të gjejë drejtësi, jetë e nder.

22 I urti e pushton qytezën e të fortëve

dhe e rrënon fuqinë në të cilën shpresonin.

23 Kush e ruan gojën e gjuhën e vet,

ruan vetveten nga të vështirat.

24 Krenari dhe i dërhuzdti quhet përqeshës:

ai bën gjithçka me mujshi të tepruar.

25 Dëshirat e mbysin përtacin,

sepse duart e tija s’duan të punojnë.

26 Gjithë ditën dëshiron e lakmon

‑ kurse i drejti jep me dorëdhani.

27 E iritshme është flia e të paudhit,

sidomos nëse kushtohet me qëllim të keq.

28 Dëshmitari i rremë do të vritet,

kurse njeriu që dëgjon do të mund të flasë gjithmonë.

29 Keqbërësi merr në fytyrë një hije të rëndë,

kurse i drejti e ndreq jetën e vet.

30 Nuk ka as urti, as mençuri as këshill

që t’i rrijë përballë Zotit.

31 Kali bëhet gati për ditën e luftimit,

por shpëtimin e jep Zoti.



Fjala e Zotit