< Fu 21 Fu 23 >
Lexim prej librit të Fjalëve të urta(Fu 22)
22

1 Zëri i mirë është më i mirë se pasuria e madhe,

më shumë vlen të kesh rëndësi se ar e argjend.

2 Pasaniku e skamnori takohen:

të dy i ka krijuar Zoti.

3 I mençuri e sheh të keqen e fshehet,

kurse të pamendët shkojnë përpara e sharrojnë.

4 Shpërblim i përvuajtërisë është frika e Zotit,

begatia, lavdia dhe jeta.

5 Ferra e leqe ka në udhën e mbrapshtanit,

kurse ai që e ruan jetën larg u shmanget atyre.

6 Mësoje djaloshin sipas udhës që do të ndjekë.

edhe kur të plaket s’do t’i shmanget asaj.

7 I pasuri i sundon skamnorët,

e detyrësi bëhet skllav i huadhënësit.

8 Kush mbjell paudhësi, do të korrë të këqija,

do të sharrojë nga shqupia e hidhërimit të vet.

9 Syri mirëbërës do të bekohet,

sepse jep për skamnorë prej bukëve të veta.

10 Dëboje përqeshësin e me të do të zhduket grindja,

do të pushojnë grindjet e fyerjet.

11 Kush e do pastërtinë e zemrës

për hir të buzëve të veta mik do ta ketë mbretin.

12 Sytë e Zotit e ruajnë dijen,

dhe hidhen poshtë fjalët e të paudhit.

13 Përtaci thotë: “Përjashta është luani,

mes rrugës do të mbetem i vrarë”!

14 Shpellë e pafund është goja e gruas së huaj,

do të bjerë brenda ai të cilin e urren Zoti.

15 Marrëzia është e lidhur për zemrën e fëmijës,

dhe thupra e ndëshkimit e largon atë.

16 E ndrydh skamnorin? Ai do ta shtojë pasurinë e vet.

I dhuron pasanikut? Vetë do të bëhesh skamnor.

17 Prire veshin tënd e dëgjoji fjalët e të urtëve,

prire zemrën tënde drejt mësimit tim,

18 sepse do të jetë kënaqësi t’i ruash në fundin e zemrës sate

e t’i kesh të gatshme në buzët e tua!

19 Me qëllim që Zoti të jetë shpresa jote

t’i drejtoji sot edhe ty.

20 Pse a s’t’i përshkrova para sa kohe

disa këshilla dhe mësime

21 për ta treguar fuqinë e fjalëve të vërteta,

që t’i përgjigjesh atij që të ka dërguar?

22 Mos u dëfto i mujshëm me skamnorin pse është i varfër,

as mos e ndrydh të papasurin në pleqëri,

23 sepse vetë Zoti do ta marrë në dorë çështjen e tyre

dhe do t’ua marrë shpirtin atyre që i plaçkisin.

24 Mos ki miqësi me njeriun idhnak,

as mos bëj shoqëri me njeriun e dërhuzdtë,

25 që të mos mësohesh udhëve të tija

e t’i vësh lak jetës sate.

26 Mos ji ndër ata që japin dorën,

që hynë dorëzanë për borxhe:

27 Nëse s’ke me çka ta kthesh

ç’arsye ke që të të merret shtroja jote?

28 Ruaj se i luan kufijtë e moçëm

që i kanë vënë të parët e tu.

29 A e ke parë njeriun mjeshtër të punës së vet?

I tilli qëndron përballë mbretërish,

ai s’rri në shërbim të njerëzve të pandershëm.



Fjala e Zotit