1 Mos u lakmo njerëzve të këqij,
as mos dëshiro të jesh me ta,
2 sepse ata s’mendojnë tjetër por cubni,
buzët e tyre flasin veç për dhunë.
3 Me urti ndërtohet shtëpia
e me mençuri ajo forcohet,
4 me dije mbushen drithnikët
me çdo lloj të mirash të çmueshme e të dëshirueshme.
5 Njeriu i urtë është edhe i fortë,
njeriu i ditur e rrit fuqinë,
6 sepse me peshim bëhesh gati për luftë,
vjen ngadhënjimi kur ka këshillime të shumta.
7 Majë e lartë është urtia për të marrin:
në kuvend të dheut gojën s’mund ta hapë.
8 Kush synon ta bëjë të keqen
të gjithë e mbajnë për njeri të dëmshëm.
9 Mendimi i të marrit është mëkat,
të përqeshurit është neveri për njerëzit.
10 Të lëshon zemra në ditë të ngushtë?
Të vogël pra, e paske fuqinë.
11 Shpëtoji ata që i shpien në vdekje,
liroji ata që i çojnë në vrasje.
12 Nëse do të thuash: “S’e dinim këtë gjë”,
s’do ta dijë Ai që peshon zemrat?
Vallë s’e di Ai që ta ruan jetën?
A s’do ta shpaguajë gjithkënd sipas veprave të tija?
13 Haje mjaltin, biri im, se është i mirë
edhe hoja është shumë e ëmbël për fytin tënd.
14 Dije se e tillë është për shpirtin tënd urtia,
nëse e gjen, ke gjetur ardhmërinë,
shpresa jote nuk do të shkojë hupës.
15 Mos i vër pritë, o i mbrapshtë, banesës së të drejtit,
mos e shkreto vendin e pushimit të tij!
16 Sepse edhe në rëntë i drejti shtatë herë, ngrihet,
kurse të patenzonët sharrojnë në mjerim.
17 Mos u gëzo nëse rrëzohet armiku yt
as të mos kënaqet zemra jote për rrënimin e tij,
18 që të mos shohë Zoti e ta marrë për të keq
e kështu ta largojë prej tij hidhërimin e vet.
19 Mos u zemëro për shkak të keqbërësve
as mos ua ki lakmi të patenzonëve,
20 sepse i mbrapshti ardhmëri nuk ka
dhe dritëza e të paudhëve fiket.
21 Druaje Zotin, biri im, dhe mbretin
dhe mos merr pjesë me kryengritës,
22 sepse do të vijë papritmas rrënimi i tyre
e kush e di se kur do të jetë bjerrja e të dyve.
23 Edhe këto janë gjithashtu për të urtët.
Nuk është mirë t’i mbahet krah kujt në gjyq.
24 Kush i thotë të paudhit: “Je i drejtë”,
do ta mallkojnë popujt e do ta nëmin fiset,
25 kurse ata që do ta qortojnë, do të lavdërohen
dhe mbi ta bie bekimi e lumturia.
26 Puth në gojë,
ai që jep përgjigje të drejtë.
27 Kryej jashtë punët e tua
me kujdes punoje fushën tënde
dhe pastaj ndërtoje shtëpinë tënde.
28 Mos ji dëshmitar pa nevojë kundër të afërmit tënd,
dhe mos gënje askënd me buzët e tua.
29 Mos thuaj: “Siç ma bëri mua do t’ia bëj dhe unë,
do t’ia kthej të tillit sipas veprave të tija!”
30 Kalova nëpër arën e përtacit
dhe nëpër vreshtin e të lafiturit:
31 dhe ja, çdo gjë e kishte mbuluar hadhuga,
sipërfaqen krejt ia kishin mbuluar ferrat
dhe ledhet ishin rrënuar plotësisht;
32 e pashë këtë dhe e futa në kokë
përsiata dhe e kuptova:
33 “Fli edhe pak, kotu edhe sa grima,
vëri edhe pakëz duart në ijë për të pushuar,
34 dhe skamja, do të të vijë porsi vrapuesi,
dhe lypësia porsi i armatosuri”!