< Fu 24 Fu 26 >
Lexim prej librit të Fjalëve të urta(Fu 25)
25

1 Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit që i mblodhën njerëzit e Ezekisë, mbretit të Judës:

2 Është lavdi e Hyjit të veprojë në fshehtësi,

lavdia e mbretërve është të veprojnë pas shqyrtimit.

3 Qielli është i lartë, toka është e thellë,

kurse zemra e mbretit është e pashqyrtueshme.

4 Hiqja ndryshkun argjendit

dhe do të dalë një enë e bukur prej argjendtarit;

5 largoje të patenzonin nga prania e mbretit

dhe froni i tij do të përforcohet nga drejtësia.

6 Para mbretit mos u mba i madh

dhe mos qëndro në vend të të mëdhenjve,

7 sepse është më mirë të të thuhet: “Ngjitu këtu!”,

sesa të përulesh në sytë e princit.

8 Çka kanë parë sytë e tu

mos u ngut ta qitësh menjëherë në gjyq,

sepse çfarë do të bësh pastaj,

kur të të ketë qitur poshtë kundërshtari yt?

9 Rrahe në gjyq çështjen tënde me të afërmin tënd,

por mos e zbulo fshehtësinë e tjetrit,

10 që rastësisht të mos të shajë kur të ketë dëgjuar

e të mos bjerë turpi mbi ty.

11 Mollë të arta në enë argjendi

fjala e thënë në kohën e vet.

12 Vath i artë dhe margaritar i ndritshëm

i urti që qorton veshin e dëgjueshëm.

13 Si fresku i borës në kohën e të korrave

i tillë është i dërguari besnik për atë që e dërgoi:

ia përtërit shpirtin e tij.

14 Re dhe erë e shi që s’bie

është lëvduesi që s’i plotëson zotimet.

15 Me duresë të qëndrueshme zbutet princi,

gjuha e butë i copëton eshtrat.

16 Hase në mjaltë? Ha sa të bën mirë

që, rastësisht, i ngopur për së tepërmi, të mos e vjellësh.

17 Mos shkel shpesh në shtëpinë e mikut

që të mos t’ia mërzitësh e të ketë rëndë.

18 Maj e shpatë e shigjetë e mprehtë

është njeriu që bën dëshmi të rreme kundër të afërmit të vet.

19 Dhëmb i prishur e këmbë e çalë

është ai që shpreson në të pabesin në ditë të ngushtë.

20 Si ai që e heq në të ftohtë leshnikun,

si uthulla në plagë

është ai që këndon para atij që e ka zemrën e thyer.

21

Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë,

nëse është i etur, jepi të pijë:

22 kështu grumbullon mbi kokë të tij prush

e Zoti do ta shpaguajë.

23 Era e veriut bie shiun

dhe gjuha përqeshëse fytyrën e trishtuar.

24 Më mirë është të rrish në buzë të pullazit

se në shtëpi të përbashkët me gruan grindavece.

25 Si uji i freskët për fytin e etshëm

është lajmi i mirë prej vendit të largët.

26 Si kroi i turbullt e burimi i prishur

është i drejti që përulet para të paudhit.

27 Të hash për së tepërmi mjaltë s’është mirë,

as nder s’është të kërkosh lavdi të tepruara.

28 Qytet i rrënuar e pa mur rrethues

është burri që s’është i zoti ta përmbajë vetveten.



Fjala e Zotit