< Fu 25 Fu 27 >
Lexim prej librit të Fjalëve të urta(Fu 26)
26

1 Si bora në verë dhe shiu në kohë të të korrave

ashtu i kanë hije nderimet të marrit.

2 Si shpendi kur merr fluturimin, porsi

dallëndyshja kur fluturon,

kështu s’shkon në vend as nëma e paarsyeshme.

3 Frushkulli për kalë, ullari për gomar

dhe shkopi për shpinën e të marrëve.

4 Mos i përgjigj të çmendurit sipas çmendjes së tij

që edhe ti të mos bëhesh i ngjajshëm me të;

5 u përgjigj të çmendurit sipas çmendjes së tij

që të mos i duket vetja i urtë.

6 Ia pret vetes këmbët dhe dehet me turp

kush çon fjalë me anë të të marrit.

7 Si fyelli i ligshtë i këmbës së çalamanit,

ashtu është fjala e urtë në gojën e marranit.

8 Si ai që e fsheh një gur në grumbull

është ai që e nderon të marrin.

9 Gemb ferre në dorën e të dehurit

është fjala e urtë në gojën e të marrëve.

10 Si shigjetari që plagos gjithkënd

është ai që merr në punë të marrin e endacakun.

11 Porsi qeni që kthehet në të vjellat e veta

është i marri që e përsërit marrëzinë e vet.

12 A ke hasur njeriun që vetja i duket i urtë?

Më shumë mund të pritet prej një të marri se prej tij.

13 Përtaci thotë: “Luanesha në rrugë!

Luani në shesh”!

14 Dera sillet në thithin e vet

edhe përtaci në shtratin e vet.

15 E shtie përtaci dorën në pjatë,

por lodhet ta çojë deri te goja e vet.

16 Përtacit i duket vetja më i mençur

se shtatë pleqve që përgjigjen me urtësi.

17 Kap qenin për veshësh

ai që në kalim përzihet në grindje të tjetërkujt.

18 Porsi ai që del mendsh e gjuan

shigjeta e heshta për të vrarë,

19 është ai që e gënjen mikun e vet

e thotë: “Pse a s’desha të luaj?”

20 Kur mungojnë drutë, fiket zjarri,

kështu edhe, kur dëbohet shpifësi,

pushojnë grindjet.

21 Porsi thëngjilli për prush e drutë për zjarr

i tillë është grindaveci për të ndezur grindje.

22 Fjalët e shpifësit janë porsi ëmbëlsira:

edhe ato arrinë deri në fund të barkut.

23 Ndryshk argjendi stoli e enës prej dheut:

janë fjalët përkëdhelëse e zemra e keqe.

24 Armiku të shtiret me fjalët e veta

kurse në zemrën e vet sendërgjon tradhti:

25 kur ta zbusë zërin e vet, ruaj se i beson,

sepse shtatë neveri i fsheh në zemrën e vet;

26 nëse me shtirje e mbulon urrejtjen,

zemra e tij e keqe do të zbulohet në mbledhje.

27 Kush hap gropën në të do të bjerë,

e kush rrokullis gurin mbi të do të kthehet.

28 Gjuha e rreme nuk e do të vërtetën,

goja përkëdhelëse përgatit rrënimin.



Fjala e Zotit