1 Biri im, ruaji këshillat e mia,
mbaj në vete porositë e mia.
2 Mbaji urdhërimet e mia e do të jetosh,
mësimin tim porsi beben e syrit tënd.
3 Lidhi ato në gishtat e tu,
shkruaji ato në dërrasat e zemrës sate.
4 Thauji urtisë: “Je motra ime!”,
e maturinë thirre: “Mikeshë!”,
5 që të të ruajnë prej gruas së huaj,
nga e huaja që josh me fjalët e ëmbla.
6 Ndërsa nga dritarja e shtëpisë sime
po vrojtoja pas roletave,
7 dhe ja, po shoh një djalosh të papërvojë,
vërej një të ri të pamend,
8 kalon udhën atje në skaj,
ecën udhës së shtëpisë së saj,
9 në mug, kur soset dita,
në të errëtit të natës, kur bëhet terr.
10 Dhe ja, e takon një grua,
me stoli lavireje, zemër dhelpre,
gojëmbël, e çuar peshë
11 thellë e shqetësuar
që në shtëpi s’mund t’i ndalë këmbët:
12 Taninë rrugë, taninë sheshe,
skajeve rri e vrojton në pritë.
13 E kapi, e puthi djaloshin
e paturpshme i thotë në fytyrë:
14 “Kam kushtuar fli për shpëtim,
sot i kreva kushtet e mia,
15 prandaj edhe të dola në takim
me dëshirë të të shoh e të gjeta.
16 Shtratin e shtrova me mbulojë të pastër,
me çarçafë të ngjyrosur prej Egjiptit;
17 dhomën time me mirrë e përerova,
me aloé e me cinamom.
18 Eja të dehemi me kënaqje
deri në mëngjes të bëjmë dashuri.
19 Sepse burrin nuk e kam në shtëpi:
ai është nisur për një udhë të largët,
20 mori me vete një kuletë me para,
në shtëpi do të kthehet me hënë të plotë.”
21 Me fjalë të shumta ia qiti rrjetën,
me joshjet e buzëve të saja e hoqi pas.
22 I marri e ndjek si kau që çohet në thertore,
porsi dreri kur bie në lak,
23 deri që shigjeta t’ia shporojë mëlçinë;
porsi zogu që shkon me vrap në grackë
e s’e di se po luan me jetë.
24 Pra tani, o bir, më dëgjo,
vëru vesh fjalëve të mia:
25 zemra jotë të mos tërhiqet udhëve të saja,
mos u gënje shtigjeve të saja!
26 Sepse shumë të plagosur për dhe i shtroi,
se ç’burra të fortë u vranë prej saj!
27 Udhë që shpien në ferr është shtëpia e saj,
që depërtojnë në dhomat e vdekjes.