1 Vallë thua, ndoshta, Urtia s’thërret?
S’po e lëshon zërin e vet Mençuria?
2 Prej majëve më të larta përmbi udhë,
në mes të udhëkryqeve ajo qëndron në këmbë,
3 afër dyerve, në hyrje të qytetit,
në mes të shesheve zërin e lëshon të lartë:
4 “O ju njerëz! Ju, ju thërras,
bijve të njerëzve u drejtohet zëri im!
5 Kuptojeni, o të papërvojë, zgjuarësinë,
të pakuptim, hetojeni dijen e jetës!
6 Vëni vesh se do të flas për gjëra të mëdha,
fjalët e buzëve të mia predikojnë drejtësinë.
7 Goja ime shpall të vërtetën,
sepse paudhëria i iritet buzëve të mia.
8 Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta,
s’ka në to të keqe as gënjeshtra,
9 janë të kuptueshme për atë që do të marrë vesh,
janë të drejta për atë që e gjen urtinë.
10 Shikoni të fitoni mësimin tim e jo paratë,
porosinë time më fort se arin e pastër.
11 Sepse urtia vlen më shumë se margaritarët,
nuk ka gjë që të mund të krahasohet me të”.
12 Unë, Urtia, banoj me Maturinë,
në dorë e kam mjeshtrinë e veprimit të arsyeshëm.
13 Frika e Zotit është urrejtja e të keqes.
Unë urrej madhështinë e krenarinë,
udhën e së keqes dhe gojën rrenacake.
14 Mua më përket këshilli edhe mençuria,
imja është maturia, imja është forca.
15 Me anën time mbretërojnë mbretërit,
edhe princat ndajnë drejtësi;
16 me anën time prijësit sundojnë,
pushtetmëdhenjtë ndajnë drejtësi.
17 Unë i dua ata që më duan
dhe më gjejnë ata që më kërkojnë me kohë.
18 Me mua janë kamja e lavdia,
të mirat që s’kalojnë e drejtësia.
19 Fryti im është më i mirë se ari dhe se ari i pastruar,
frytet e mia më të mira se argjendi i zgjedhur.
20 Eci udhëve të drejtësisë,
shtigjeve të së drejtës,
21 për t’i pasuruar dashamirësit e mi,
për t’i mbushur thesaret e tyre.
22 Zoti më kishte që në fillim të udhëve të veta,
që në fillim, para se të krijonte ndonjë gjë.
23 Kam qenë shuguruar prej amshimit,
që në kohët më të lashta, para se të krijohej toka.
24 Ende nuk ishin humnerat e unë isha e ngjizur,
ende nuk ishin burimet e ujërave të shumta,
25 para se të viheshin themelet e maleve,
para se të ishin kodrat, unë linda.
26 Ende nuk e kishte krijuar tokën as fushat,
as elementet e para të pluhurit të tokës.
27 Kur i ujdisi qiejt, unë isha pranë,
kur hoqi një rreth, ligj të sigurt, rrethues të humnerës,
28 kur në lartësi i dendi retë,
kur i bëri të fuqishme burimet e humnerës
29 kur ia vuri kufirin rrethues detit
dhe ujërave që të mos i kalojnë kufijtë e vet,
kur tokës ia qiti themelet,
30 unë isha pranë si kryemjeshtër:
kënaqësia e tij për çdo ditë,
duke luajtur pranë tij gjithë kohën,
31 duke luajtur mbi globin tokësor:
kënaqja ime është të jem me bijtë e njerëzve.
32 Tani pra, o bij, më dëgjoni:
të lumtë ata që i ruajnë udhët e mia.
33 Dëgjojeni mësimin dhe bëhuni të urtë,
e ruhuni se e flakni tej atë!
34 Lum ai njeri që më dëgjon mua
që çdo ditë rri zgjuar para derës sime
e i ruan pragjet e derës sime.
35 Kush më gjen mua, gjen jetën
dhe nxjerr hir prej Zotit;
36 kurse kush të mëkatojë kundër meje,
e dëmton shpirtin e vet:
të gjithë ata që më urrejnë, e duan vdekjen.