< Fu 8 Fu 10 >
Lexim prej librit të Fjalëve të urta(Fu 9)
9

1 Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet

dhe i latoi shtatë shtylla.

2 I kushtoi flitë e veta, e përzjeu verën

dhe e shtroi tryezën e vet.

3 I dërgoi shërbëtoret e veta

në qytezë, në vendet e larta për të grishur:

4 “Kush është i papërvojë, le të vijë tek unë”!

e të pamendit i çoi fjalë:

5 “Ejani, hajeni bukën time,

pijeni verën që e kam përzier për ju!

6 Lëreni marrëzinë e jetoni

dhe ecni udhëve të mençurisë”!

7 Kush qorton përqeshësin, e bën armik të vetin,

kush i bërtet të paudhit, nxin faqen e vet.

8 Mos e qorto përqeshësin që të mos të urrejë,

qortoje të urtin dhe ai do të të dojë.

9 Mësoje të urtin e do të bëhet gjithnjë më i urtë,

mësoje të drejtin e do t’i shtohet dija.

10 Fillimi i urtisë: frika e Zotit,

dija e Shenjtit, ja mençuria!

11 Sepse me anën time do të shtohen ditët e tua

dhe do të shumohen vitet e jetës sate.

12 Nëse do të jesh i urtë, është për të mirën tënde,

nëse do të jesh përqeshës, vetveten do ta marrësh në qafë.

13 Zonja Marrëzirë është e marrë e

zhurmëmadhe,

një marroqe që s’di asgjë.

14 Del e rri në derë të shtëpisë së vet,

mbi fron në vende të larta të qytetit,

15 dhe i thërret udhës kalimtarët

që janë nisur në punë të vet:

16 “Kush është i papërvojë le të vijë tek unë!”,

dhe i thotë të pamendit:

17 “Ujët e vjedhur është më i ëmbël,

buka e ngrënë fshehtas është më e shijshme”.

18 Por ai s’e di se atje janë Hijet,

se të grishurit e saj shkojnë në fund të ferrit.



Fjala e Zotit