1 Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët ‑ ata që ishin në botë ‑ i deshi deri në pikën e fundit.
2 Dhe, gjatë darkës ‑ pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtonte ‑
3 Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente ‑
4 u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh.
5 Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.
6 Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha:
“Zotëri, ti të m’i lash këmbët?”
7 “Ç’po bëj unë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.”
8 Pjetri iu përgjigj:
“Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!”
“Nëse nuk do të laj ‑ i tha Jezusi ‑ nuk do të kesh pjesë me mua.”
9 Simon Pjetri iu përgjigj:
“Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!”
10 Jezusi i tha:
“Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët ‑ dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”
11 Ngase e dinte se kush do ta tradhtojë, këndej edhe tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”
12 Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha:
“A e kuptoni çka ju bëra?
13 Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam.
14 Nëse, pra, unë ‑ Zotëria dhe Mësuesi ‑ ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri‑tjetrit.
15 Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.
16 “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nuk është shërbëtori më i madh se zotëria i tij as i dërguari më i madh se dërguesi.
17 Pasi tani i dini këto, të lumët ju nëse edhe do t’i zbatoni!
18 Nuk po flas për ju të gjithë. Unë i njoh ata që zgjodha. Por ‑ le të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: ‘Ai që ha bukën time, e ngriti thembrën e vet kundër meje.’
19 Po jua them që tani,
para se të ndodhë,
që, kur të ndodhë,
të besoni se UNË JAM.
20 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
kush e pranon atë që dërgoj unë,
më pranon mua,
e kush më pranon mua,
pranon Atë që më dërgoi.”
21 Si i tha këto, Jezusi, i tronditur në shpirt, shpalli:
“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
njëri prej jush do të më tradhtojë.”
22 Atëherë nxënësit shikuan njëri‑tjetrin duke mos ditur për cilin po fliste.
23 Njëri prej nxënësve, ai, të cilin Jezusi e donte veçanërisht, ishte në tryezë përbri parzmës së Jezusit.
24 Atëherë Simon Pjetri i dha shenjë ta pyeste Jezusin për cilin po thoshte:
25 Ky atëherë iu mbështet Jezusit në parzëm dhe e pyeti:
“Zotëri, cili është?”
26 Jezusi iu përgjigj:
“Ky, të cilit po ia jap kafshatën pasi ta ngjyej në kupë.”
Atëherë e ngjeu kafshatën [e mori dhe] ia dha Judës së Simon Iskariotit.
27 Pas kësaj kafshate në të hyri djalli.
Atëherë Jezusi i tha:
“Ç’ke në mend të bësh, bëje shpejt!”
28 Askush prej atyre që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse i tha ashtu.
29 E, pasi Juda mbante qesen, disa menduan se Jezusi i tha të shkojë të blejë çka duhet për festë, ose t’u japë ndonjë gjë skamnorëve.
30 Juda, posa mori kafshatën, menjëherë doli jashtë. Ishte natë.
31 Pasi Juda doli përjshta, Jezusi tha:
“Tani u lavdërua Biri i njeriut!
Edhe Hyji u lavdërua në të!
32 [Nëse Hyji u lavdërua në të]
edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete.
Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!
33 Fëmijëzit e mi!
Edhe pak kohë jam me ju!
Do të më kërkoni,
por, siç u thashë judenjve,
tani po ju them edhe juve:
‘ku unë po shkoj,
ju nuk mund të vini.’
34 Po ju jap një urdhër të ri:
Duajeni njëri‑tjetrin!
Sikurse unë ju desha ju,
duajeni edhe ju njëri‑tjetrin!
35 Nëse e doni njëri‑tjetrin,
të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi.”
36 Simon Pjetri i tha:
“Zotëri, ku mendon të shkosh?”
Jezusi [iu] përgjigj:
“Ku unë mendoj të shkoj, ti tani nuk mund të më ndjekësh; por më vonë do të më ndjekësh.”
37 “Zotëri ‑ i tha atëherë Pjetri ‑ E pse tani nuk mund të vij pas teje? Unë do ta jap jetën për ty!”
38 Jezusi u përgjigj:
“Ti do ta jepësh jetën tënde për mua? Përnjëmend, përnjëmend po të them: para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë!”