< Gjn 7 Gjn 9 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Gjonit(Gjn 8)
8

1 Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve.

2 Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte.

3 Atëherë skribët e farisenjtë i sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes

4 dhe i thanë:

“Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes.

5 Në Ligj Moisiu na urdhëroi që të tillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?”

6 Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.

Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe.

7 E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai iu drejtua e tha:

“Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!”

8 Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe.

9 Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm ‑ dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në mes.

10 Jezusi iu drejtua dhe i tha:

“Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?”

11 “Askush, Zotëri!” ‑ iu përgjigj ajo.

“As unë nuk po të dënoj ‑ i tha Jezusi ‑ Shko, por tani e tutje mos mëkato më!”

12 Atëherë Jezusi u tha përsëri:

“Unë jam drita e botës.

Kush vjen pas meje,

nuk do të ecë në errësirë,

por do ta ketë dritën e jetës.”

13 Atëherë farisenjtë i thanë:

“Ti vetë po bën dëshmi për vetveten: dëshmia jote

s’mund të jetë e vërtetë.”

14 Jezusi u përgjigj:

“Po qe se unë bëj dëshmi edhe për vetveten,

prapë se prapë dëshmia ime është e vërtetë,

sepse e di se prej nga erdha e kah shkoj.

Ndërsa ju nuk dini

as prej nga vij as kah shkoj.

15 Ju gjykoni siç dukem përjashta,

unë nuk gjykoj askënd.

16 Por edhe në gjykoj,

gjyqi im është i vërtetë,

sepse unë nuk jam vetëm,

por unë ‑ dhe ai që më dërgoi ‑ Ati.

17 Por edhe në Ligjin tuaj shkruan:

dëshmia e dy vetëve është e vërtetë.

18 Unë dëshmoj për vetveten

e për mua dëshmon edhe ai që më dërgoi,

Ati.”

19 Atëherë ata i thanë:

“Ku është yt Atë?”

Jezusi iu përgjigj:

“Ju nuk më njihni mua as Atin tim.

Po të më njihnit mua

do ta njihnit edhe Atin tim!”

20 Këto fjalë Jezusi i foli në Thesarore, ndërsa po mësonte në Tempull, dhe askush nuk e preku, sepse ende nuk kishte arritur koha e tij.

21 Jezusi u tha përsëri:

“Unë po shkoj

e ju do të më kërkoni

dhe do të vdisni në mëkatin tuaj.

Ku unë shkoj,

ju s’mund të vini.”

22 Atëherë judenjtë thanë:

“A mos mendon të vrasë veten pasi thotë: ‘Ku unë shkoj ju s’mund të vini?’“

23 E Jezusi u tha:

“Ju jeni prej këtu poshtë

kurse unë jam prej së Larti.

Ju jeni prej kësaj bote

kurse unë nuk jam prej kësaj bote.

24 Prandaj edhe ju thashë:

‘Do të vdisni në mëkatet tuaja!’

Për të vërtetë nëse nuk besoni se UNË JAM

do të vdisni në mëkatet tuaja.”

25 Atëherë ata i thanë:

“Kush je ti?”

“Po përse ‑ u përgjigj Jezusi ‑ t’ju tregoj prapë prej fillimit?

26 Shumë gjëra kam për të thënë për ju e të gjykoj;

porse Ai, që më dërgoi, është i vërtetë

dhe çka dëgjova prej Tij atë i them botës.”

27 Ata nuk e morën vesh se u foli për Atin.

28 Atëherë Jezusi u tha:

“Kur ta ngritni Birin e njeriut,

atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM

dhe se prej vetvetes nuk bëj asgjë,

por flas ashtu si më mësoi Ati.

29 Ai që më dërgoi, është me mua

e nuk më la vetëm,

sepse unë gjithmonë bëj çka i pëlqen Atij.”

30 Në këto fjalë të tij, shumë besuan në Të.

31 Pastaj Jezusi u tha atyre judenjve që besuan në të:

“Nëse do ta mbani fjalën time,

vërtet do të jeni nxënësit e mi;

32 do ta njihni të vërtetën

dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë.”

33 Ata iu përgjigjën:

“Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe askurrë askujt nuk i qemë robër. Si po thua ti: ‘Do të bëheni të lirë?’“

34 Jezusi u përgjigj:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them:

kushdo bën mëkat

është skllav (i mëkatit).

35 Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi,

ndërsa djali rri përgjithmonë në shtëpi.

36 Nëse, pra, biri do t’ju çlirojë,

me të vërtetë do të jeni të lirë.

37 E di se jeni pasardhës të Abrahamit,

e megjithatë kërkoni të më vritni,

sepse fjala nuk gjen vend në ju.

38 Unë flas çka pashë tek Ati

e ju bëni

çka dëgjuat prej atit [tuaj].”

39 Ata iu përgjigjën:

“Ati ynë është Abrahami.”

Jezusi u tha:

“Po të ishit bijtë e Abrahamit,

do të bënit veprat e Abrahamit!

40 Dhe, ja, kërkoni të më vritni mua,

që ju fola të vërtetën,

që e dëgjova prej Hyjit.

Një gjë të tillë Abrahami s’e bëri kurrë.

41 Ju bëni veprat e babait tuaj.”

[Atëherë] i thanë:

“Ne s’kemi lindur nga fëlligështia ‑ kemi vetëm një baba ‑ Hyjin”

42 Jezusi iu përgjigj:

“Po ta kishit Hyjin Atë,

do të më donit edhe mua,

sepse unë prej Hyjit dola dhe erdha;

nuk erdha prej vetvetes,

por Ai më dërgoi.

43 Përse nuk e merrni vesh fjalën time?

Pse nuk jeni të zotët ta dëgjoni fjalën time!

44 Babai juaj është djalli

e ju dëshironi të kryeni vullnetin e babait tuaj.

Ai qe vrastar njerëzish që në fillim,

nuk mundi të qëndrojë në të vërtetën,

sepse në të nuk ka të vërtetë.

Sa herë gënjen,

flet prej natyrës së vet

sepse është gënjeshtar dhe babai i gënjeshtrës.

45 E mua nuk më besoni

pikërisht pse ju flas të vërtetën.

46 Kush prej jush është i zoti

të ma vërtetojë se kam mëkatuar?

Nëse flas të vërtetën,

pse nuk më besoni?

47 Kush është prej Hyjit,

i dëgjon fjalët e Hyjit;

prandaj ju nuk i dëgjoni,

sepse nuk jeni prej Hyjit.

48 Judenjtë iu përgjigjën:

“Vallë, a nuk e themi të vërtetën se je samaritanas e se në trup ke djallin?”

49 Jezusi u përgjigj:

“Unë nuk e kam në trup djallin

por e nderoj Atin tim

e ju më çnderoni.

50 Por unë nuk e kërkoj nderin tim,

ka kush e kërkon dhe e gjykon.

51 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

ai që e zbaton fjalën time,

askurrë s’do ta shohë vdekjen”

52 [Atëherë] judenjtë i thanë:

“Tani po shohim qartë se je i djallosur. Abrahami vdiq e vdiqën edhe profetët, e ti thua: Ai që zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen.’

53 A mos je ti më i madh se Ati ynë Abrahami, i cili vdiq? Po edhe profetët vdiqën. Kush kujton se je?”

54 Jezusi u përgjigj:

“Nëse unë e lavdëroj vetveten,

lavdi im është asgjë;

ka kush më lavdëron ‑ im Atë,

për të cilin ju thoni: ‘është Hyji ynë’,

55 por ju nuk e njohët,

përkundrazi unë e njoh.

Po t’ju thoja se nuk e njoh,

do të isha gënjeshtar si ju.

Por unë e njoh

dhe e mbaj fjalën e tij.

56 Abrahami, ati juaj, galdoi në shpirt

nga dëshira për ta parë Ditën time.

E pa dhe u gëzua.”

57 Atëherë judenjtë i thanë:

“Ende nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e pe Abrahamin!”

58 Jezusi u përgjigj:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

përpara se të ishte Abrahami,

UNË JAM!”

59 Atëherë kapën gurë për ta gjuajtur, por Jezusi u fsheh dhe doli prej Tempullit.



Fjala e Zotit