1 Dhe ja, pika kryesore në këtë shtjellim: kemi një Kryeprift të tillë, i cili rri në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiell,
2 si Mbarështues i Shenjtërores dhe i Tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Zoti dhe jo njeriu.
3 Meqenëse çdo kryeprift vihet për të kushtuar dhurata dhe fli, këndej edhe Ai ka për detyrë të ketë çka të kushtojë.
4 Po të ishte Ai mbi tokë, nuk do të ishte as prift, sepse janë ata që në fuqi të Ligjit i kushtojnë dhuratat.
5 Këta i shërbejnë figurës dhe hijes së Tendës qiellore, sikurse qe udhëzuar Moisiu, kur mendonte të ndërtonte Tendën, sepse:
»Shiko - i thuhet - bëji të gjitha sipas gjedhes që të qe dëftuar në mal!«
6 Por tani Krishti, fitoi një shërbesë shumë më të shquar, sepse është ndërmjetësi i Besëlidhjes më të mirë, të themeluar mbi premtime më të mira.
7 Po të kishte qenë me të vërtetë Besëlidhja e parë e patëmetë, nuk ishte dashur t’i bëhej vend tjetrës.
8 Sepse, duke i prozhmuar, u thotë:
»Ja, po vijnë ditët - thotë Zoti - kur do të bëj me Shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të re.
9 Jo më si Besëlidhja që pata bërë me etërit e tyre, kur i mora për dore për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit. Meqenëse ata nuk qëndruan besnikë ndaj Besëlidhjes sime, prandaj as vetë nuk u kujdesova për ta - thotë Zoti.
10 Dhe ja, Besëlidhja të cilën do ta lidh me Shtëpinë e Izraelit pas këtyre ditëve - thotë Zoti: ligjet e mia do t’i thadroj në shpirtrat e tyre dhe do t’i zgavëroj me shkronja në zemrat e tyre.
Unë do të jem Hyji i tyre kurse ata do të jenë populli im.
11 Askush nuk do ta mësojë bashkëqytetarin e vet, askush vëllain e vet duke thënë: ‘Njihe Zotin!’, sepse të gjithë do të më njohin, prej më të voglit e deri në më të madhin ndër ta,
12 sepse do të kem mëshirë për fajet e tyre dhe s’do t’i kujtoj mëkatet e tyre«.
13 Kur thotë »Të Renë« dëshmon se »E Para« është plakur; tashti, çka plaket e vjetrohet, është afër zhdukjes.