< Is 20 Is 22 >
Lexim prej librit të Isaise(Is 21)
21

1 Profeci mbi shkretëtirën e detit.

Porsi vorbullat që përplasen në jug,

vjen nga shkretëtira, nga një vend i tmerrshëm.

2 Një vegim i hidhur mua më qe dëftuar:

rrëmbyesi rrëmben,

shkatërruesi shkatërron!

“Sulu, Elam,

rretho, Medi!

Unë bëj të pushojë çdo gjëmim!”

3 Këndej ijët e mia më dridhen,

më pushtuan dhimbjet si dhimbjet e lindëses;

jam i tronditur për çka dëgjoj,

i tmerruar për çka shikoj.

4 Zemra më lëshon,

tmerri më pushton:

mugu që e dëshiroja

erdhi e m’u bë tmerr.

5 Shtrojnë tryezën,

shtrojnë ciloren,

hanë e pinë.

“Ngrihuni, o krerë,

lyeni shqytin!”

6 Sepse Zoti kështu më tha:

“Shko, vëre vrojtuesin,

të lajmërojë gjithçka të shohë!

7 Nëse sheh karrocë, koçi me dy kuaj,

njerëz hipur në gomarë,

njerëz hipur në gamile,

le të vëzhgojë me kujdes,

me kujdesin më të madh!”

8 Atëherë vrojtuesi thirri:

“Në vrojtore, Zotëri,

rri vazhdimisht, gjithë ditën;

në rojën time qëndroj,

qëndroj vazhdimisht gjithë natën.

9 Ja, këtu po vjen një mizëri njerëzish,

koçi dy kuajsh!”

Ai vazhdoi e tha:

“Ra, ra Babiloni

dhe të gjitha shtatoret e hyjnive të tij copë e grimë u bënë për tokë!”

10 Shirja ime, biri i lëmit tim,

çka dëgjova nga Zoti i Ushtrive,

Hyji i Izraelit,

jua zbulova!

11 Profeci mbi Dumën.

Nga Seiri dikush më thërret:

“Rojtar, ç’kohë nate është?

Rojtar, ç’kohë nate është?”

12 Rojtari përgjigjet:

“Po vjen mëngjesi, por edhe nata;

nëse doni të pyetni, pyetni,

kthehuni, ejani!”

13 Profeci mbi shkretëtirën.

Në pyll, në shkretëtirë do ta kaloni natën,

karvanët e Dedanit!

14 Silluni ujë të eturve,

ju që banoni në tokën Tema,

ndesheni me bukë të arratisurin!

15 Sepse ata ikin para shpatave,

para shpatës së zhveshur,

para harkut të ngrehur,

para luftës së madhe.

16 Sepse kështu më thotë Zoti: “Edhe një vit, si viti i mëditësit, dhe mbarë lavdia e Cedarit do të marrë fund.

17 Numri që do të mbesë nga harqet e trimave të bijve të Cedarit do të jetë shumë i vogël. Sepse kështu ka thënë Zoti, Hyji i Izraelit.”



Fjala e Zotit