1 Profeci mbi Tirin.
Bëni gjëmë, anijet e Tarsit,
sepse u shkretua strehimi juaj!
U qe dhënë kumti
kur po ktheheshin nga dheu Ketim.
2 Shtanguni, banorët e bregdetit,
me tregtarët e Sidonit
që kapërcenin detin
ti ishe plot.
3 Të mbjellat e Nilit në ujë të shumtë,
të korrat e tij frytet e Lumit:
ishte bërë tregtia e popujve!
4 Turp për ty, o Sidon, fuqi detare!
Deti merr fjalën e thotë:
“S’i sprovova dhimjet e të lindurit,
unë nuk linda;
nuk rrita djelmosha
as nuk rrita vajza.”
5 Kur të hapet kumti në Egjipt,
do të mjerohen për çka do të dëgjojnë për Tirin!
6 Kaloni në Tars,
ulërini, banorët e bregdetit!
7 A është ky qyteti juaj i lavdishëm?
Në ditë shumë të largëta lashtësia e tij,
e këmbët larg e çonin
për themelim vendbanimesh.
8 E kush e sendërtoi këtë
kundër Tirit të kurorëzuar,
të kujt tregtarët princa ishin
e stërshitësit bujaria e vendit?
9 Kështu vendosi Zoti i Ushtrive
për të përulur krenarinë e çdo madhërie,
për të përulur të gjithë të mëdhenjtë e dheut.
10 Puno tokën tënde porsi brigjet e Nilit,
o bija e Tarsit, se më port nuk ke.
11 Dorën e vet e shtriu mbi det,
mbretëritë i tronditi,
Zoti urdhëroi kundër Kanaanit
të shkatërrohen kalatë e tij.
12 Ai tha: “S’do të vazhdosh më të lavdërohesh
virgjër e dhunuar, o bija e Sidonit!
Ngrihu e kalo në Ketim,
por as atje qetësi s’do të gjesh!”
13 Ja, toka e kaldenjve:
s’qe një tjetër popull i ngjashëm me të.
Asiria e themeloi për egërsira.
I ndërtuan pirgjet e veta;
i rrënuan pallatet e tij,
e bënë një grumbull rrënojash.
14 Lëshoni gjëmë, anije të Tarsit,
sepse u shkatërrua strehimi juaj!
15 Atë ditë do të ndodhë: Tiri do të mbetet i harruar për shtatëdhjetë vjet, sa zgjasin ditët e një mbreti. Pas shtatëdhjetë vjetësh Tirit do t’i ndodhë siç thotë kënga e lavires:
16 “Merre cetrën, qarkullo qytetin,
moj lavire e lënë në harresë!
Bjeri bukur, këndo shumë,
që ndokush për ty të kujtohet.”
17 Kështu pra, pas shtatëdhjetë vjetësh, Zoti do ta vizitojë Tirin dhe do të fillojë përsëri t’i marrë fitimet e veta dhe prapë do të lavirësojë me të gjitha mbetëritë që janë mbi sipërfaqen e tokës.
18 Por fitesa e paga e tij do t’i kushtohen Zotit; nuk do të grumbullohen as nuk do të ruhen, sepse fitesa e tij do t’u takojë atyre që banojnë pranë Zotit që të kenë ushqim me mbushulli e të vishen sa më madhërisht.