1 Le të heshtin para meje ishujt,
edhe popujt le të përtërijnë fuqinë;
le të afrohen e le të flasin,
të shpejtojmë së bashku në gjyq të përballohemi!
2 Kush e ngriti prej Lindjes atë,
hapin e të cilit po e ndjek drejtësia?
Para tij po i shtron popujt,
para tij po i ul mbretërit,
shpata e tij pluhur i bën,
shigjetat e tij porsi byku kur e rrëmben era!
3 I ndjek ferrë pa i hyrë në këmbë,
thua se këmbëve u ka vënë fletë!
4 Kush e bëri dhe e sendërtoi këtë?
‑ Ai që i thërret në jetë breznitë që në fillim:
Unë jam Zoti, i pari,
po edhe me të sprasmit jam!
5 Shohin ishujt edhe dridhen,
skajet e tokës i kap tmerri,
po afrohen, ia arritën!
6 Secili e ndihmon të afërmin,
vëllait të vet i thotë: “Me guxim!”
7 Shkrirësi i jep zemër argjendarit,
lëmuesi me maj atij që rreh në kullë,
i thotë për zierjen: “Mirë është!”
dhe e forcon me gozhda
që të mos lëvizë.
8 E ti, o Izrael, shërbëtori im,
ti, o Jakob, që vetë të zgjodha,
fara e Abrahamit, mikut tim,
9 ti që të mora nga skaji i botës,
që të thirra prej viseve të largëta
e të thashë: “Ti je shërbëtori im;
unë të zgjodha e nuk të përbuza”.
10 Mos druaj se me ty jam,
mos u shmang se unë jam Hyji yt:
do të të bëj të fortë, unë do të të ndihmoj,
do të të përkrah me të djathtën e drejtësisë sime.
11 Ja, do të turpërohen e do të skuqen
të gjithë ata që hidhërohen në ty;
do të jenë si të mos ishin
e do të sharrojnë ata që të kundërshtojnë ty.
12 Do t’i kërkosh e s’do t’i gjesh
ata që grinden me ty;
do të jenë si të mos ishin, një asgjë,
ata që luftojnë kundër teje.
13 Sepse jam unë Zoti, Hyji yt,
që të marr për dore
e të them: “Mos druaj,
unë do të të ndihmoj!
14 Mos u tremb, Jakob he krimb,
o burra të Izraelit!
Unë do të të ndihmoj” ‑ thotë Zoti,
Shpëtimtari yt, Shenjti i Izraelit.
15 Ja, po të bëj trinë të re trinojëse,
që ka grremça të dhëmbëzuar;
malet do t’i trinosh, do t’i gërryesh,
pluhur kodrat do t’i bësh.
16 Do t’i terplotosh, era do t’i tretë,
vorbulla do t’i shpërndajë
e ti do të gëzohesh në Zotin,
do të galdosh në Shenjtin e Izraelit.
17 Skamnorët e të varfërit ujë kërkojnë,
por ujë s’ka,
gjuha e tyre nga etja u tha,
Unë, Zoti, do t’i vështroj,
unë, Hyji i Izraelit, s’do t’i braktis.
18 Lumenj do të shpërthej në kodra të shogëta,
në lugina do të pëlcasë ujët e gjallë;
Shkretëtirën kënetë do ta bëj,
tokën e thatë burime ujërash!
19 Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin,
akacjen, mirtën e ullirin;
në shkretëtirë bredhin do ta mbjell,
bashkë me vidh e qiparis,
20 që të shohin e ta kuptojnë,
ta mendojnë e vesh ta marrin njëherësh,
se dora e Zotit këtë e bëri,
e krijoi Shenjti i Izraelit.
21 Paraqiteni çështjen tuaj, thotë Zoti,
sillni, nëse keni prova të forta, thotë Mbreti i Jakobit.
22 Të afrohen e të na tregojnë ç’do të ndodhë,
na i tregoni gjërat që kaluan,
kështu që ne të mund t’i kujtojmë,
ose shpallni çfarë do të ngjasë,
që ta dimë se çka do të ndodhë!
23 Parakallëzoni çka në të ardhmen do të ndodhë,
që ta pranojmë se jeni zota!
Bëni diçka qoftë mirë qoftë zi,
që ta shohim e të mahnitemi!
24 A po shihni se jeni askushi,
vepra juaj s’vlen asgjë,
i përbuzshëm është kush ju zgjedh.
25 Unë e ngrita nga veriu
e erdhi nga Lindja e diellit;
për emër vetë atë e thirra,
porsi baltën do t’i shkelmojë të mëdhenjtë,
si vorbëtari që e shkel baltën.
26 Kush e parakallëzoi që moti që ta dinim,
që në kohë të vjetra që të mund të themi: ‘Është e vërtetë!’
Jo, s’ka lajmërues, s’ka parakallëzues,
askush s’i dëgjoi fjalët tuaja.
27 Unë i pari i thashë Sionit: “Ja, tek janë!”,
Jerusalemit ia dërgoj sihariqtarin!
28 Shikova, por s’ishte askush,
asnjë që këshillë të jepte,
askush s’ishte që të pyetej
e të mund të përgjigjej!
29 Ja, të gjithë këta janë një asgjë,
të pa farë vlere veprat e tyre:
erë e kotësi idhujt e tyre!