< Is 41 Is 43 >
Lexim prej librit të Isaise(Is 42)
42

1 Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah,

i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im,

mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim:

ai do t’ua japë të drejtën popujve.

2 Ai s’do të bërtasë, s’do ta ngrejë zërin,

zëri s’do t’i dëgjohet në sheshe.

3 Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar,

s’do ta ndalë as fitilin tymues

dhe pa u trembur ai do ta shpallë të drejtën.

4 S’do të lodhet as nuk do të pushojë

derisa ta ketë vendosur të drejtën në tokë.

Ishujt e presin me afsh mësimin e tij.

5 Kështu thotë Zoti Hyj

që krijon qiejt dhe ata i shtrin,

që e bën të fortë tokën e çka prej saj mbin,

që u jep frymën popujve që e banojnë,

edhe shpirtin atyre që mbi të shkelin:

6 Unë, Zoti, të thirra në drejtësi

e për dore të kam marrë;

të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit

edhe dritë për të gjithë popujt:

7 që t’ua hapësh sytë të verbërve,

që t’i nxjerrësh të burgosurit nga burgu,

prej shtëpisë së burgut ata që rrinë në terr.

8 Unë Zoti: ky është emri im;

lavdinë time tjetërkujt s’ia jap,

as nderin tim idhujve të gdhendur.

9 Ngjarjet që më parë i parakallëzova,

ja, të gjitha ndodhën,

po edhe çka do të ndodhë

para se të ndodhë, do t’ju parakallëzoj.

10 Këndojini Zotit një këngë të re,

lavdinë e tij prej skajeve të tokës,

le ta lavdërojë deti me gjithçka

që mban brenda,

ishujt me banorët e tyre!

11 Le ta lartësojë zërin shkretëtira

dhe qytetet e saj,

le të galdojnë fshatrat ku banojnë cedarët,

le të brohorisin banorët e Qetës,

le të klithin nga kreshtat e bjeshkëve!

12 Le t’i japin nder Zotit,

lavdinë e tij ta shpallin nëpër ishuj!

13 Marshon Zoti porsi trim mbi trima,

si luftëtar trim flakë e ndez zemërimin,

me britma lufte ushton zëri i tij,

ngadhënjyes del mbi armiqtë e vet.

14 “Për një kohë të gjatë unë heshta, shujta,

qeshë i durueshëm,

tashti do të bërtas si lindësja,

do të gjëmoj, njëherësh do të turfëlloj!

15 Shkretëtirë do të bëj male e kodra,

do të përvëloj çdo blerim të tyre,

ishuj lumenjtë do t’i bëj,

kurse kënetat do t’i përthaj!

16 Do t’i bëj të verbërit të ecin udhës që s’e njohin,

shtigjeve që s’i njohin t’i bëj të kalojnë,

errësirën para tyre në dritë unë do ta kthej,

udhët e shtrembëra do t’i bëj të drejta.

Fjalën që ua dhashë për ta do ta zbatoj,

e ata dore s’do t’i lëshoj!

17 Do të zmbrapsen me turp e turp

ata që shpresojnë në idhull,

ata që trupores i thonë:

‘Ju jeni zotat tanë, ’“

18 Dëgjoni, ore shurdhana,

o të verbër, hapni sytë e shihni!

19 Kush është i verbër porsi shërbëtori im,

i shurdhër porsi kasneci

që e dërgoj?

Kush është i verbër si kasneci im?

Kush është i verbër si shërbëtori i Zotit?

20 Pe shumë gjëra, por s’ua vure mendjen,

veshët i hape, por nuk deshe të ndiesh!

21 I pëlqeu Zotit për shkak të drejtësisë së vet

ta lartësojë e ta madhërojë Ligjin.

22 E pra ky është një popull i plaçkitur e i rrëmbyer,

të gjithë në pranga të hedhur në gropa,

të ndryer të gjithë në shtëpi burgjesh.

U bënë pre e askush s’i shpëton,

i plaçkitën e askush s’thotë: “Ktheji!”

23 Por kush prej jush ia vë veshin kësaj?

Kush kujdeset e dëgjon për të ardhmen?

24 Kush e lëshoi Jakobin pre të bëhet,

e Izraelin kush ia dorëzoi cubave?

Vallë a jo Zoti, kundër të cilit mëkatuam?

Udhës së të cilit s’deshën të ecin

dhe s’ia zbatuan Ligjin e tij.

25 Mbi ta e zbrazi zemërimin e hidhërimit të vet

edhe tmerrin e luftës së fortë.

Gjithkah përreth e rrethoi zjarri

por as këtë ai s’e kuptoi;

e përpiu flaka, porse vesh s’e mori!



Fjala e Zotit