1 Më dëgjoni ju që ndiqni drejtësinë,
ju që kërkoni Zotin,
shikojeni qetën nga qetë prerë
dhe gropën e humnerës nga qetë nxjerrë!
2 Shikojeni Abrahamin, atin tuaj,
edhe Sarën që ju lindi!
Ishte, njëmend, i vetëm kur e thirra,
por e bekova dhe e shtova!
3 Sepse Zoti e ngushëllon Sionin,
i ngushëllon të gjitha rrënojat e tij;
shkretëtirën e tij e shndërron në Eden,
djerrinën e tij në Kopsht të Zotit!
Brohoritja e galdimi do të jehojnë në të,
falënderimet e këngët e lavdisë!
4 Më dëgjoni me kujdes, o populli im,
veshin ma vini, o popuj!
Sepse prej meje do të dalë Ligji
të drejtën time do ta bëj dritë për popuj!
5 Afër është drejtësia ime,
arriti shëlbimi im!
Krahu im do t’i gjykojë popujt,
në mua shpresën do ta vënë ishujt
do të shpresojnë në krahun tim.
6 Lart në qiell lartësoni sytë tuaj
dhe shikoni poshtë në tokë!
Sepse qiejt do të zhduken si tymi,
toka do të vjetrohet si petku,
banorët e saj të gjithë si ajo do të mbarojnë.
Por shpëtimi im do të qëndrojë deri në amshim,
drejtësia ime do të jetë e pafund!
7 Më dëgjoni ju që e njihni të drejtën,
ti, o popull, që ma ke në zemër Ligjin:
mos e druani përqeshjen e njerëzve,
mos u trembni nga fyerjet e tyre!
8 Sepse tenja do t’i brejë si petkun,
porsi leshin krimbi do t’i brejë;
kurse drejtësia ime do të qëndrojë gjithherë,
shëlbimi im brezni më brezni.
9 Zgjohu, zgjohu, ngjeshe forcën,
o krahu i Zotit!
Zgjohu porsi në ditët e moçme,
në breznitë shekullore!
Vallë, ti a nuk e godite Rahabin,
a s’e plagose dragoin?
10 Pse a nuk qe ti ai që e thau detin,
ujët e Humnerës së tmerrshme,
ti që e bëre fundin e detit udhë
që nëpër të të kalonin të çliruarit?
11 Të shpërblyerit e Zotit do të kthehen
e do të arrijnë në Sion duke kënduar,
lumturia e përhershme do të jetë mbi kokë të tyre,
do t’i përcjellë gëzimi e hareja,
do të zhduken dhimbjet e rënkimet!
12 Unë, unë jam Ngushëlluesi juaj!
Kush je ti që të trembesh nga njeriu i vdekshëm,
nga biri i njeriut që është si bari?
13 E ke harruar Zotin, Krijuesin tënd,
që e shtriu qiellin dhe ethemeloi tokën,
e gjithnjë vazhdon të trembesh gjithë ditën
para zemërimit të atij që të mundonte
kur vendosi ta shuante farën!
Ku është tashti zemërimi i ndrydhësit?
14 I zëni rob shpejt do të çlirohet,
në burg s’do të vdesë,
buka kurrë s’do t’i mungojë.
15 Unë jam Zoti, Hyji yt,
që e tund detin,
e buçasin valët e tij;
Zoti i Ushtrive emri i tij!
16 Fjalët e mia në gojë t’i vura,
nën hije të dorës sime të fsheha
kur shtrija qiellin e themeloja tokën
e i thosha Sionit: “Ti je populli im!”
17 Zgjohu, zgjohu,
ngrihu, Jerusalem,
ti që e pive prej dorës së Zotit
gotën e zemërimit të tij,
pive kupën e trullosjes,
e pive deri në fund!
18 Prej të gjithë bijve që ai lindi
s’është asnjë që ta ketë mbështetje;
prej të gjithë bijve që ai i rriti,
s’është asnjë që ta marrë për dore!
19 Dy të këqija të goditën
‑ kush do të ketë dhimbje për ty?
rrënim e shfarosje, uri e shpatë
‑ kush do të të ngushëllojë?
20 Bijtë e tu shtrihen të molisur
në krye të çdo udhe
si antilopa e zënë në lak,
të këputur nga zemërimi i Zotit,
nga kërcënimi i Hyjit tënd!
21 Dëgjo, pra, o i mjerë,
o i dehur, por jo me verë!
22 Kështu thotë Zotëruesi yt,
Zoti, Perëndia yt,
Mbrojtësi i popullit tënd:
“Ja, prej dorës po ta heq
kupën e trullosjes,
gotën e zemërimit tim:
ti kurrë më nuk do ta pish.
23 Përndjekësve të tu në dorë do t’ua vë,
atyre që ty të thonin:
“Bëju urë të kalojmë mbi ty!”,
urë ua bëje shpinën tënde,
porsi udhë për kalimtarë.”