1 Galdo, beronjë, ti që nuk linde,
shpërthe në hare, gëzo, ti që fëmijë s’linde
sepse më të shumtë janë bijtë e të lënës
se të asaj që e ka burrin ‑ thotë Zoti.
2 Zgjeroje vendin e tendës sate,
shtrij pa kursim pëlhurat e banesës sate,
zgjati litarët e tu,
forcoji hunjtë e tu,
3 sepse do të shtrihesh djathtas e majtas,
fara jote do t’i marrë trashëgim popujt,
do t’i popullojnë qytetet e lëna shkretë.
4 Mos ki frikë, sepse nuk do të jesh e turpëruar,
mos u skuq, sepse nuk do të jesh e çnderuar,
sepse do ta harrosh marren e rinisë sate,
më s’do ta kujtosh çnderimin e vejërisë.
5 Sepse Krijuesi yt do të jetë fati yt,
emri i tij është Zoti i Ushtrive;
Shpërblyesi yt Shenjti i Izraelit,
Ai quhet Hyji i mbarë tokës,
6 Sepse si një grua të lënë
që vuan në shpirt
të thirri Zoti:
‘Gruaja e vjetëve të rinisë
a mund të përbuzet?’
ka thënë Hyji yt.
7 Për pak kohë të lashë,
por po të rimarr me dashuri të madhe.
8 Në momentin e zemërimit
e fsheha pakëz prej teje fytyrën time,
por me dashuri të amshuar pata dhimbje për ty,
tha Zoti Shpërblyesi yt.
9 Tashti është për mua si në ditët e Noehit,
kur u përbetova se ujërat e Noehit
më nuk do të vërshojnë tokën,
po ashtu u përbetova
se më nuk do të të hidhërohem
e nuk do të të kërcënohem.
10 Malet mund të zhduken,
kodrat mund të tranden,
porse dashuria ime s’do të zhduket prej teje
as besëlidhja e paqes sime nuk do të trandet,
thotë Zoti që pati mëshirë për ty.
11 Varfanjakja ime, stuhish e rrahur,
e pa farë ngushëllimi,
ja, në vend të gurëve do të vë karbunkull,
e themelet do t’i qes mbi safirë.
12 Pirgjet e tua prej jaspisit,
dyert e tua gurësh të paçmueshëm,
muret rrethuese të tuat gurë stolie!
13
Të gjithë bijtë e tu do të jenë nxënës të Zotit
e madhe do të jetë lumturia e bijve të tu.
14 Do të jesh i themeluar në drejtësi,
larg do të jesh nga ndrydhja,
s’do të kesh pse të trembesh,
larg nga frika, sepse s’do të afrohet.
15 Shih! Nëse do të ndodhë ndonjë sulm,
s’do të jetë prej meje.
Kush të të sulmojë, para teje do të rrëzohet.
16 Shih! Unë e krijova farkëtarin
që fryn mbi prush
dhe prodhon vegla për punën e vet,
porse krijova edhe shkatërruesin për të shkatërruar.
17 S’do të ketë sukses asnjë armë
e farkuar kundër teje.
Do të dënohet çdo gjuhë
që do të ngrihet kundër teje në gjyq.
Ky është fati i shërbëtorëve të Zotit,
e tillë është drejtësia e tyre nga ana ime
‑ thotë Zoti.