1 Në ditët e Akazit, të birit të Joatamit, të birit të Ozisë, mbretit të Judës, u çua Rasini, mbreti i Sirisë dhe Faceu, i biri i Romelisë, mbreti i Izraelit, dhe morën rrugën drejt Jerusalemit për ta sulmuar por nuk mundën ta pushtojnë.
2 Atëherë i çuan këtë lajm shtëpisë së Davidit: “Sirianët ngulën fushimin në Efraim.” Atëherë zemra e Akazit e zemra e mbarë popullit u dridh siç dridhen pemët e pyllit kur fryn era.
3 Atëherë Zoti i tha Isaisë: “Ti e yt bir Seariasubi dilni para Akazit në skaj të ujësjellësit të ujëmbajtësit të sipërm në udhën e Arës së Rrobalarësit.
4 Thuaj kështu:
Ki kujdes, mos u shqetëso! Mos druaj e të mos trembet zemra jote prej këtyre dy urëve me tym, prej flakës së zemërimit të Rasinit të Sirisë e prej birit të Romelisë,
5 pse Siria, Efraimi e biri i Romelisë kanë vendosur të të shpartallojnë e thonë:
6 ‘Të sulemi kundër Judës, t’ia shtiem frikën, ta pushtojmë e t’i vëmë për mbret të birin e Tabeelit’.
7 Kështu thotë Zoti Hyj:
“Kjo s’do të ndodhë! Kështu s’do të jetë!
8 Kryet e Sirisë është Damasku
e kryet e Damaskut është Rasini!
Edhe gjashtëdhjetë e pesë vjet
e Efraimi s’do të jetë më popull.
9 Kryet e Efraimit është Samaria,
e kryet e Samarisë është biri i Romelisë.
Nëse s’do t’më besoni,
nuk do të shpëtoni!”
10 P ërsëri Zoti iu drejtua Akazit e i tha:
11 ”Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty, qoftë në thellësinë e Nëntokës qoftë në lartësinë në qiell.”
12 Akazi u përgjigj: “Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!”
13 Atëherë Isaia tha:
“Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit:
A thua pak ju duket t’ua mërzitni njerëzve
e tani doni ta mërzitni edhe Hyjin tim?
14 Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme.
Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë
e për me emër do ta quajë Emanuel!
15 Do të ushqehet me mazë e me mjaltë
derisa të mësojë ta flakë të keqen
e të zgjedhë të mirën.
16 Sepse, para se djali të arrijë të mësojë të flakë të keqen
e të zgjedhë të mirën,
do të mbetet shkret vendi,
dy mbretërit të cilët ti i ke frikë.
17 Zoti do të sjellë mbi ty,
mbi popullin tënd e mbi shtëpinë e babait tënd
ditë që nuk u panë
që kur Efraimi u nda nga Juda
‑ mbretin e asirianëve.”
18 “E do të ndodhë atë ditë:
Zoti do t’u fërshëllejë mizave
që janë përtej brigjeve të lumenjve të Egjiptit
edhe bletëve që janë në viset e Asurit
19 dhe do të vijnë e do të pushojnë
në luginat plot gremina,
në shpellat e qetave,
në të gjitha ferrishtat
e në të gjitha kullosat.
20 Atë ditë Zoti do të rruajë
me brisk rrues të huajtur përtej Lumit
‑ me anë të mbretit të asirianëve ‑,
koka e qime këmbësh,
po edhe mjekrrën do ta rruajë e stërruajë!
21 Atë ditë do të ndodhë:
njeriu do të mbajë nga një lopë e dy dele
22 e, në saje të mbushullisë së qumështit,
me mazë do të ushqehet;
e vërtet, do të ushqehet me mazë e me mjaltë secili
që do të shpëtojë gjallë në vend.
23 Atë ditë: ku ishin një mijë hardhi
që vlenin një mijë sikla të argjendta,
ferra e halluga do të bëhen!
24 Do të hyjnë në të të armatosur me shigjetë e hark,
sepse hallugë e ferrë mbarë vendi do të bëhet.
25 Të gjitha të mihura me bel
askush s’do t’i përshkojë
prej frikës së ferrave e të murrizit.
Do të bëhen kullota gjedhësh,
vend i rrahur prej bagëtish.”