< Is 7 Is 9 >
Lexim prej librit të Isaise(Is 8)
8

1 Zoti më tha: “Merre një rrasë të madhe shkrimi e shkruaj në të me shkrim të rëndomtë: ‘Maher Salal Has Bac’.

2 Unë mora dëshmitarë besnikë kryepriftin Uri e Zakarinë, birin e Barakisë.

3 Iu afrova profeteshës dhe ajo ngjizi e lindi djalin. Atëherë Zoti më tha: ‘Ngjitja emrin Maher Salal Has Bac’,

4 sepse para se fëmija të dijë të thërrasë ‘Babi’, e ‘Mami’, do të merren pasuritë e Damaskut e preja e Samarisë e do të çohen para syve të mbretit të asirianëve.”

5 Zoti shtoi e më tha përsëri:

6 “Pasi ky popull e përbuzi ujët e Siloehut

që rrjedh qetë e në heshtim

e dridhet para Rasinit e birit të Romelisë,

7 për këtë arsye Zoti do të sjellë mbi ta

ujërat e forta e të shumta të Eufratit

‑mbretin e asirianëve e mbarë nderin e tij‑

do të shpërthejë në të gjitha degët e tij,

do të vërshojë mbi të gjitha brigjet e tij,

8 do të bjerë nëpër mbarë Judenë,

do ta vërshojë e do ta gërryejë,

deri në fyt do t’i arrijë!

Krahët e tij të shtrirë do ta mbulojnë

fund e majë vendin tënd, o Emanuel!”

9 Kushtrimohuni sa të doni, o popuj, e megjithatë do të shpartalloheni!

Dëgjoni ju, o popuj të largët të gjithë,

ngjeshni armët e dridhuni,

farkoni armë e dridhuni,

10 Sendërgjoni synime ‑ kot e keni,

nxirrni urdhëresa sa të doni ‑ s’do të zbatohen,

sepse me ne është Zoti!

11 Po, kështu më tha Zoti

kur më kapi me dorën e vet

e më qortoi të mos eci

udhës së këtij populli. Më tha:

12 “Mos quani përbetim

gjithçka që ky popull e quan përbetim,

çka ai druan, ju mos e druani,

frikë mos e kini.”

13 Zotin e Ushtrive atë shenjtëroni,

Ai le të jetë frika juaj, tmerri juaj.

14 Ai duhet të jetë shenjtërorja,

guri ku merret në thua,

qeta nga thyhet qafa

për dy shtëpitë e Izraelit,

lak e kurth për banorët e Jerusalemit.

15 Në të do të marrin në thua shumë veta,

do të rrëzohen e do të copëtohen,

do të bien në rrjetë,

në kurth do të zihen.

16 Mbylle e lidhe këtë dëshmi, vulose zbulesën në zemrat e nxënësve të mi.

17 Kam besim në Zotin që e fshehu fytyrën e vet nga shtëpia e Jakobit dhe shpresoj në Të.

18 Dhe ja, unë e djemtë që m’i fali Zoti, jemi prej Zotit të Ushtrive që banon në Sion, shenjë e parakallëzim për Izraelin.

19 Kur t’ju thonë: “Pyetni shpirtrat e shortarët që luajnë me buzë e murmurisin. Pse a populli nuk duhet t’i pyesë hyjnitë e veta, t’i pyesë të vdekurit për të gjallët?’“

20 Në ligj mbështetuni, në dëshmi!

Ata që nuk do të thonë kështu, agimin nuk do ta presin.

21 Do të endet nëpër vend i ndrydhur e i uritur, e, i uritur, do të tërbohet

e do të mallkojë mbretin e vet e hyjin e vet.

Do t’i çojë sytë kah qielli,

22 do të shikojë tokën:

dhe, ja, vuajtje e errësirë,

terr ndrydhës e mug i dendur!



Fjala e Zotit