< Jb 12 Jb 14 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 13)
13

1 E mori fjalën Jobi edhe tha:

2 “Njerëz të tjerë s’paska përveç jush,

bashkë me ju do të mbarojë Urtësia!

3 Por edhe unë mendtë i kam si ju

e në asgjë më i dobët se ju nuk jam!

Këto që i dini, cili nuk i di?

4 Kush përqeshet prej mikut si unë,

ta thërrasë Hyjin ai do ta vështrojë,

në lojë pse vihet patmetësia e të drejtit!

5 ‘Mposht fatkeqin ‑ mendon kush është mirë,

Të shtyme jepi atij që këmbët i merren!’

6 Qetësi gëzojnë banesat e cubave,

jeton qetë kush Hyjin po e ngacmon,

sikur Hyjin në grusht të vet ta mbante.

7 Egërsirat pyeti e do të të mësojnë,

shpendët e qiellit e ata do të të tregojnë,

8 fol me tokën e ajo do të të mësojë,

peshq’t e deti ty do të kallëzojnë.

9 Ndër këta të gjithë cili s’e di

se të gjitha i bëri dora e Zotit?

10 Në dorë të Zotit jeta e çdo gjallese,

në dorë të tij është fryma e çdo njeriu.

11 A thua veshi s’i dalluaka fjalët

sikur qellza që shujtën shijon?

12 A thua dija s’u takuaka pleqve

e urtia njerëzve me moshë të gjatë?

13 Por në Të është urtia e fuqia,

në Të këshilli edhe mbarë kuptimi.

14 Çka shkatërron Ai, kush mund ta ndërtojë?

Kë Ai kyç, askush s’mund ta lirojë!

15 Nëse e ndal ujin, gjithçka thahet,

nëse e lëshon, gjithçka rroposet.

16 Në Të është forca edhe dija,

njeh gënjyesin edhe të gënjyerin.

17 Ai këshilluesit lehtë i bën të marrë

e gjykatësve mend ua merr sa ndorja.

18 Mbretërve ua zhduk ijen

e me teje lehtë ua ngjesh.

19 Zdath priftërinjtë i vë përpara,

nga pushteti poshtë i rrëzon bujarët.

20 Në gojë fjalën gojëmbarëve ua lidh

edhe pleqtë pa urtësi i lë.

21 Mbi princër e sjell përbuzjen,

brezin trimave ua zhgjesh.

22 Humnerave ua ndrit errësirën,

hijen vdekjes në dritë të ditës e qet.

23 I rrit popujt e i asgjëson mejëherë,

të rrëzuarit Ai prapë në këmbë i çon.

24 U merr mendtë princave vendas,

i bën të enden shkretëtirës së paudhë

25 duke prekur si në terr edhe në dritë,

i bën të enden sikur të ishin të dehur!



Fjala e Zotit