< Jb 13 Jb 15 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 14)
14

1 Të gjitha këto që i pa syri im,

m’i ndjeu veshi, të gjitha i kuptova.

2 Sa ju dini edhe vet aq di,

në asnjë gjë s’jam më i keq se ju.

3 Prapëseprapë me të Lumin dua të flas,

dëshiroj me Hyjin të bëj rragatje,

4 kurse juve do t’jua vërtetoj,

rrenacakë se jeni e mjekë të kotë.

5 Oh, sikur ju të dinit të heshtni,

kjo do të ishte për ju urtësi!

6 Pra dëgjojini arsyet e mia,

vëruni vesh arsyeve të buzëve të mia.

7 Hyj’n për ta mbrojtur a thua gënjeshtër do të thoni?

Në mbrojtje të Tij do të përdorni dredhi?

8 Me anësi do të silleni ju për të?

Krah mendoni Hyjit në gjyq t’i mbani?

9 Si do të ndaheni nëse Ai ju shqyrton?

Si njeriun doni ta mashtroni?

10 Rëndë Ai ju do t’ju ndëshkojë

për pajë të fshehtë që i mbani Atij.

11 Po a s’ju tremb Madhëria e tij?

S’keni frikë se do t’ju sulet?

12 Pluhur në erë janë të gjitha thëniet tuaja,

pancirë balte janë pancirët tuaj!

13 Heshtni pak! Dua të flas vetë,

të dalë ku të dalë, është punë për mua!

14 Me dhëmbë të mi pse mishin tim ta ha?

Jetën time ta shqyej me duar të mia?

15 Në dashtë le të më vrasë, tjetër s’dësh’roj:

sjelljen time para Tij ta mbroj.

16 Ky guxim shpëtimin tim kumton:

sepse i mbrapshti para Tij s’mund të dalë!

17 Dëgjojeni ju bisedën time,

vëni vesh shtjellimit tim!

18 Ja: jam gati për gjykim!

Mirë e di se i pafaj dal.

19 Kush me mua do të gjykohet?

Do të hesht dhe do të vdes.

20 Por dy gjëra mos m’i bëj

para Teje s’do të tërhiqem:

21 flake tej prej meje dorën,

me tmerr tëndin mos më tremb!

22 Atëherë më pyet e do të të përgjigjem,

o po të pyes e ti më përgjigj!



Fjala e Zotit