< Jb 17 Jb 19 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 18)
18

1 Mori fjalën Baldad Suhiti edhe tha:

2 “Deri kur me fjalë do të gjuani?

Më parë pleqëroni e atëherë do të flasim!

3 Përse mbahemi për bagëti?

Dhe na mban për kafshë të ndyra?

4 Ti, or djalë, që vetes ia bren jetën

a për shkak tënd do të shembet bota

dhe qetat vendit do të luajnë?

5 Po se drita do t’i shqimet të mbrapshtit,

s’do të flakojë më flaka në vatër të tij.

6 Nën tendë të tij do të errësohet drita,

përmbi të dritëza do të fiket.

7 Hapi i shpejtë i ngadalësohet,

në shestime të veta do të përplaset.

8 Këmbët e tija i ranë në rrjetë,

ja po ecën në lugje i penguar!

9 Laku i fshehur këmbët ia zuri,

vjega nyjë rreptë e shtrëngon.

10 Për këmbë gracka në tokë i është fshehur,

në shteg t’kalimit kurthi e pret.

11 Nga çdo anë e frikëson droja,

gjurmë pas gjurme e përcjell.

12 Nga uria i humb fuqia,

murtaja i rri përbri

13 e ia bren pjesët e lëkurës,

i ha gjymtyrët djali i parë i vdekjes.

14 E nxjerrin nga çadra e tij,

për ta shpënë te Mbreti i Tmerrit.

15 Banon në tendën që s’është më e tija,

banesa me sulfur i stërpiket.

16 Poshtë kalben rrënjët e tija,

e përsipër gemat e tij thahen.

17 Kujtimi i tij zhduket nga toka,

në logje emri s’i përmendet.

18 Nga drita në errësirë e dëbojnë,

e tresin nga rrethi i tokës.

19 Bir as bijë në popull s’do të ketë,

dera e tij me ferrë do të mbyllet.

20 Emnesë fundi i tij për të sprapmit,

lemeri do të jetë për të parët.

21 Ja, i tillë është fati i mëkatarit,

e tillë dera që Hyjin s’e njeh”.



Fjala e Zotit