1 Jobi mori fjalën e tha:
2 “Ju lutem dëgjojini fjalët e mia,
kaq ngushëllim prej jush ta kem!
3 Më lejoni njëherë të flas
e pastaj sa të doni qeshni.
4 Vallë a ankohem kundër një njeriu,
që të mos kem pse ta humbas duresën?
5 Po më vështroni: a s’shtangoheni,
me dorë gojën a nuk do ta qepni?
6 Data më kap kur mendoj veten,
rrënqethje e tmerrshme krejt më përshkon!
7 Pse keqbërësit a pak jetojnë?
Madje plaken e në begati!
8 Bashkë me ta mbarë u shkon bami,
pinjollat ndër sy u shtohen.
9 Të sigurta i kanë shtëpitë e të qeta,
thupra e Hyjit kurrë mbi ta nuk bie.
10 Mëzetët e tyre si të askujt,
lopët iu pjellin, shterp s’u mbesin.
11 Fëmijët e tyre tufa qengjash,
djemtë u kërcejnë plot hare.
12 E luajnë cetrën e tupanin
dhe kënaqen me këngë zambaresh.
13 Në mirëqenie jeta u kalon,
plotësisht të qetë në Nëntokë zbresin.
14 E pra këta i thoshin Hyjit:
‘Na u hiq sysh!
S’duam t’i njohim udhët e tua!
15 Kush është Hyji që t’i shërbejmë?
Ç’fitesë kemi nëse Atij i lutemi?’
16 Dorën plot e kanë me të mira
pa çarë fare kokën për Hyjin!
17 A shpesh të mbrapshtëve u shuhet drita?
Kur papritmas e liga i gjen?
Sa herë të liga në zemërim u çon Hyji?
18 Pse a kashtë është ai thua në erë,
apo byk që e tret stuhia?
19 Për bamë të tij Hyji e ruan ndëshkimin?
Atë të godasë, ai vetë të paguajë!
20 Ai me sy ta shohë se vdes
e le të gjerbë nga zemërimi i Hyjit.
21 Po a thua ngushtë është për shtëpi pas vdekjes,
kur numri i muajve të tij të jetë kryer?
22 Pse a ndoshta dija i mësohet Hyjit
që i gjykon krijesat atje lart?
23 Njëri vdes me të gjitha të mirat
shumë i pasur e plot qetësi:
24 Me përmbrendëse të ngarkuara me dhjamë,
palca eshtrave pa u munguar;
25 kurse tjetri vdes në mjerim,
pa e pasë gëzuar në jetë ndoj të mirë,
26 e prapë së bashku prehen në dhe,
baras të dy me krimba të mb’luar!
27 Heu sa mirë i di mendimet tuaja,
se ç’shestoni kundër meje të thoni,
28 sepse më pyetni: ‘Ku është sht’pia e prijësit?
Ku është tenda ku banonin të mbrapshtit?’
29 Pse a s’i pyetët kalimtarët udhës?
Provat e tyre s’keni si i mohoni
30 se në ditë të vështirë keqbërësi po kursehet
dhe shpëton nga dita e zemërimit.
31 Kush për sjellje, ndër sy e qorton,
e ndëshkon kush për të këqijat që bëri?
32 Në varr përcillet me nderime,
për më tepër varri i ruhet.
33 E lehtë për të do të jetë ledina,
pas e para i shkojnë të gjithë njerëzit!
34 Ç’kuptim kanë, pra, ngushëllimet që më jepni?
Sa të gabuara janë përgjigjet tuaja”!