< Jb 21 Jb 23 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 22)
22

1 Mori fjalën Elifaz Temaniti e tha:

2 “Çka njeriu Hyjit mund t’i vlejë?

Kur i urti vlen mezi për vete?

3 Ç’dobi i Lumi ka nëse ti je i drejtë,

ç’fiton Hyji nëse ti je i pastër?

4 Vallë të ndëshkon pse qenke i drejtë

e për këtë të qitka në gjyq?

5 A thua jo në saje të mbrapshtisë sate,

të të këqijave të tua që s’kanë numër?

6 Pa arsye vëllait peng i more,

të vobekëtin petkash e zhveshe.

7 Të etshmit ujë s’i dhe të pijë,

të uriturit s’i dhe të hajë.

8 Skamnorit tokën ia more

dhe ia dhe kujt të pëlqeu ty.

9 Me duar thatë i nisje të vejat,

bonjakëve ua theve krahët.

10 Këndej tani në rrjetë ke rënë

e po të mposht frika e papritur.

11 Drita terr të është bërë e s’sheh,

turri i ujërave po të përplas!

12 Pse thua Hyji s’është më i lartë se qielli?

Vëreje majën e yjeve: sa e lartë!

13 E ti thua:’Po ç’di Hyji?

A mund të shohë nëpër mug të reve?

14 Tis ka renë e ne s’na sheh.

Ai shëtit buzës qiellore!

15 Po a do të ndiqësh udhën e moçme,

që ndoqën njerëzit e këqij?

16 Para kohe qenë rroposur,

themelin ua mori lumi!

17 Ata Hyjit vetë i thoshin: ‘Larg prej nesh!’

dhe: ‘S’ka ç’na bën i Gjithpushtetshmi.

18 Ai shtëpitë me të mira u mbushte,

megjithëse për të s’çanin kokën.

19 Të drejtët shohin edhe gëzohen,

i pafajshmi në lojë i vë:

20 ‘Vërtet mbaroi madhëria e tyre,

pasurinë ua dogji zjarri’.

21 Me Hyjin ndrequ e pajtohu,

do të reshesh përsëri me të mira.

22 Prano Ligjin prej gojës së tij,

fjalët e tija nguli në zemër.

23 Nëse i penduar te i Lumi kthehesh,

nëse e mënjanon të keqen nga tenda,

24 nëse si pluhurin e çmon arin,

si zall lumi arin e Ofirit,

25 për ty ar do të jetë i Lumi

e argjend do të kesh me muqe.

26 Atëherë te i Lumi do të gjesh gëzime,

drejt kah Hyji do t’i lartësosh duart.

27 Do t’i lutesh e Ai do të dëgjojë,

kushtet tua në vend do t’i çosh.

28 Do të shkojë mbarë çkado të ndërmarrësh,

udhën tënde do ta ndriçojë drita.

29 Madhështorit ia ul krenarinë

e i ndihmon njeriut të përvuajtur.

30 Nga e keqja e shpëton të pafajshmin:

patëmetësia e duarve e shpëton.”



Fjala e Zotit