< Jb 28 Jb 30 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 29)
29

1 Jobi vazhdoi poemën e vet e tha:

2 “Oh, të m’u ktheheshin muajt e shkuar,

ato ditë kur Hyji më ruante,

3 kur mbi kokë më ndriçonte dritëza e tij,

kur në dritë të Tij çaja errësirën!

4 Të bëhesha si në rininë time,

kur si mik në tendë më vinte Hyji,

5 kur me mua ishte i Lumi

e përreth mecat e mi,

6  kur me qumësht i laja këmbët,

kur nga guri rrëke më rridhte vaji!

7 Kur unë dilja në log të kuvendit,

shkëmbin tim kur e vija në shesh,

8 më shihnin të rinjtë e iknin të fshihen,

pleqtë në këmbë brafshin e ashtu qëndronin!

9 Heshtnin prijësit, zë s’lëshonin

e me dorë gojën e mbyllnin.

10 Fisnikët zërin e rrudhnin

e për qellzë gjuha u ngjitej.

11 Kush më dëgjonte më mbante të lum,

kush më shikonte më jepte nder.

12 Pse i ndihmoja të varfrit që kërkon ndihmë

e bonjakut që kush s’e përkrah.

13 Me bekime më mb’lonte i vdekatari,

zemrës së vejës ia dhuroja gëzimin.

14 Porsi petk vishja drejtësinë,

shall të leshtë e kisha të drejtën.

15 Sy për të verbërin, këmbë për të shqeptin isha,

16 babë për të varfërin, mbrojtës për të huajin!

17 Keqbërësit turinjtë ia theja,

prej dhëmbëve ia nxirrja prenë!

18 Mendja më thoshte: ‘Në çerdhën time

plot shëngjergja unë do të vdes.’

19 Rrënja ime në ujë arrin,

gemat natën m’i lag vesa.

20 Nderi im gjithmonë në rritje,

shigjeta ime gjithnjë do të përtërihet!

21 Ma dëgjonin, fjalën më përkrahnin,

ishin të gatshëm të m’i dëgjonin këshillat.

22 Kush s’guxonte të ma presë fjalën,

mbi ta fjala si shi më rridhte!

23 Më prisnin fjalën sikur pritet shiu,

gojëhapur si në shi përtëritës!

24 Nëse u qeshja s’mund të besonin,

më vërenin në f’tyrë që të më dinë

mendimin.

25 Kur doja të shkoja ndër ta,

gjithmonë zija kryet e vendit,

rrija si mbret me ushtri rrethuar,

sepse isha ngush’llues i të mjerëve”.



Fjala e Zotit