1 “Kurse tani mua më përqeshin
në moshë më të rinjtë,
të cilëve etërit s’u denjoja
t’ia vë grigjës qen për rojë!
2 Gjë nuk duhej forca e duarve të tyre,
humbur u kishte fuqia rinore,
3 dob’suar skami e urie,
endeshin nëpër shkretëtirë
të shkretuar nga stuhitë;
4 brenin barë e gjethe shkurresh,
rrënjët e dëllisë kishin ushqim.
5 Të dëbuar nga rrethi i njerëzve,
pas u britnin sikur vjedhësve.
6 Banonin brigjeve të përrenjve,
në shpella dheu edhe qetash,
7 ulërinin n’për shkurre e mreta,
nën ferra së bashku u struknin.
8 Bijtë e tyre, pjellë e poshtër,
prej vendit me dhunë të dëbuar.
9 Ata tani në bisht të lahutës më vënë
e për ta unë përrallë jam bërë.
10 U vjen të ndyrë, meje largohen,
s’ju vjen turp të më pështyjnë në f’tyrë.
11 Kukurrën hapi e më shigjetoi
e në gojë ma vuri frerin.
12 Fole shlligash në të djathtën time,
këmbët e mia i vënë në të ikur,
kundër meje sheshojnë shtigje vdekje.
13 Rrugët e mia m’i rrënuan,
më dolën në pritë edhe më mundën
dhe askush s’u kundërshton.
14 Si murit të rrënuar më sulen,
nën rrënoja u rrokullisën.
15 Edhe tmerri kundër meje u çua,
porsi era u zhduk parësia ime,
porsi reja shkoi shpëtimi im.
16 Shpirti im gjithnjë po më meket,
më pushtuan ditët e mjerimit.
17 Natën eshtrat dhimbjet m’i shporojnë,
plagët që më brejnë askurrë s’më pushojnë!
18 Më kap për petkash me tërë fuqinë,
më shtrëngon si qafeta e këmishës.
19 Në baltë më përplasi pa farë mëshire
e jam bërë krejt blozë e pluhur.
20 Në ndihmë të thërras e Ti s’më përgjigjesh,
në këmbë qëndroj e Ti s’më shikon.
21 Për mua Ti mizor u bëre,
më përndjek me dorë të fuqishme.
22 Më flak përpjetë kalor mbi erë,
poshtë më përplas me anë të stuhisë.
23 Po e shoh se në vdekje më shtyt,
në sht’pi të caktuar për çdo të gjallë.
24 Megjithatë dorën s’shtrin për ta rrënuar;
në rrënim të tij do të jetë shpëtimi.
25 Vallë a s’qaja kurdoherë mbi të mjerin,
a s’i dhimbej shpirtit tim i varfri?
26 Prisja të mirën, më erdhën të këqijat,
prisja dritën e më erdhi terri.
27 Më vlon barku e kurrë s’më pushon,
po më sulmojnë ditët e mjerimit.
28 Ecja i mërrolur ‑ kush s’më ngushëllon,
ngritesha në mbledhje e thirrja ndihmë.
29 Me çakaj u bëra vëlla,
shok u bëra me struca të egër.
30 Nxirë është lëkura e trupit tim,
nga ethet eshtrat m’u thanë.
31 Cetra ime u bë vajtore,
gjëmëtar është fyelli im”!