< Jb 30 Jb 32 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 31)
31

1 “Lidhur kisha besë me sytë e mi

se asnjë virgjër s’do të shikoja.

2 Po ç’pjesë kam te Hyji im i lartë,

ç’trashëgim te i Gjithpushtetshmi në qiell?

3 Pse a e keqja s’i takon të paudhit,

s’u takuaka të padrejtëve ndëshkimi?

4 A thua roje ai s’më rri në udhë

e s’ m’i njeh hapat e mi?

5 Pra, nëse veprova ndonjëherë me gënjeshtër,

për të bërë të keqen nëse e luajta këmbën:

6 le të më vërë Hyji në peshore të saktë

që ta dijë se i patëmetë unë jam!

7 Këmba ime nëse udhës iu shmang

e nëse zemra sytë m’i ndoqi,

duart e mia nëse i përdhosa:

8 unë mbjellsha e tjetri korrte,

farë as emër mos më mbettë!

9 Nëse zemrën time në të keq ma çoi ndoj grua,

nëse pas derës pritë mikut i vura:

10 për tjetërkënd bloftë gruaja ime,

tjetërkush atë e përdoroftë!

11 Sepse kjo është punë e poshtër,

paudhësi që gjyq kërkon:

12 më djegtë zjarri e më përvloftë,

shkrumb i bëftë të lashtat e mia!

13 Nëse i kam ngrënë të drejtën shërbëtorit

o shërbëtores që ankohej në mua:

14 çfarë do të bëja kur Hyji në gjyq të ngritet,

ç’do të përgjigjja kur llogari të kërkonte?

15 A s’janë ata si unë vepër e Tij?

S’na formoi një Hyj në krah’ror të nënës?

16 Nëse u mohova ç’kërkonin të varfrit,

në qoftë se të qajnë i bëra sytë e të vejës,

17 në qoftë se vetëm hëngra bukën time

e prej saj s’dhashë të hajë edhe jetimi.

18 Që në rini si babë i kam qenë,

e kam mësuar që në krah’ror të s’ëmës!

19 Nëse e përbuza të gjorin që petk s’kishte,

të vobektin që ishte pa mbulojë,

20 nëse ijët e tij mua s’ma çuan bekimin,

pse prej bashkave të deleve të mia u ngroh,

21 nëse dorë ngrita kundër ndoj bonjaku,

duke e ditur se e kam Mbrojtësin në gjyq:

22 oh m’u shkoqtë prej shpatullës krahu,

dora ime në bërryl u theftë!

23 Sepse të Hyjit e druaj ndëshkimin,

madhërisë së Tij s’mund t’i qëndroj!

24 Nëse shpresën time a kurrë në ar e vura,

nëse arit të pastër: ‘Besim kam në ty’ i thashë,

25 nëse iu gëzoja kamjes sime të madhe,

pasurisë që duart ma fituan,

26 nëse kur diellin t’shkëlqyeshëm shikoja

edhe hënën kur ecën ndriçuese:

27 e ashtu fshehtas më gënjeu zemra ime

që me dorë t’u çoja puthje,

28 që do të ishte punë e dënueshme në gjyq,

se Tenzonë unë do të kisha mohuar;

29 nëse iu gëzova bjerrjes së urryesit tim

dhe u kënaqa për të keqen që i ndodhi,

30 unë që gjuhën s’lejoja të mëkatonte,

duke e nëmur që jeta t’i shuhej!

31 Po a nuk më thoshte gjindja e çadrës sime:

‘Kë me mish ai der tash s’e ka ngopur?’

32 Kurrë shtegtar përjashta s’më mbeti,

për udhëtarin hapur e kisha derën.

33 Pse a si Adami mëkatin tim e fsheha,

në zemrën time fajin fshehtë e mbajta?

34 Pse a i droja shpërhalljet e gjindes,

a u frikësoja përbuzjes së fqiut

e heshtja brenda derës së shtëpisë?

35 Sikur të kisha dikënd që të më dëgjonte!

Ja, nënshkrimi! I Lumi le të më përgjigjë!

Ja libri që e shkroi armiku!

36 Përmbi supa do ta mbartja,

rizë rreth kokës do ta lidhja,

37 përgjegjësi do të jepja për çdo hap,

para Tij ballëlart si princ do të dilja.

38 Kundër meje nëse klithë toka ime,

bashkë me të nëse vaj lëshojnë hullitë,

39 nëse pa pagë frytin ua hëngra

e nëse vet ia mundova bujqit:

40 në vend të grurit ferra më prodhoftë,

në vend të elbit egjër ‑ bar të qelbët”!



Fjala e Zotit