1 ata tre njerëz pushuan t’i përgjigjeshin, sepse Jobi e mbante veten të drejtë.
2 Por atëherë u hidhërua dhe u zemërua Eliuhi, biri i Barakelit të Buzit, i fisit Ramaj. E u hidhërua në Jobin sepse thoshte për vete se ishte i drejtë para Hyjit.
3 Gjithashtu u zemërua edhe në miqtë e vet, sepse nuk ditën të gjejnë përgjigje, por vetëm e dënuan Jobin.
4 Këndej edhe Eliuhi priti deri sa foli Jobi, sepse ata që flisnin ishin më të moçëm.
5 Por, si pa Eliuhi se ata tre nuk mundën t’i përgjigjeshin, u hidhërua shumë.
6 Atëherë e mori fjalën Eliuhi, biri i Barakelit Buzit, dhe tha:
“Për kah mosha i ri unë jam,
kurse ju e arritët pleqërinë,
prandaj edhe frikë kisha dhe droja
t’jua tregoj mendimin tim.
7 Mendoja: ‘Le të flasë mosha
dhe të thinjurit dijen ta mësojnë!’
8 Por sa po shoh është shpirti në njerëzit,
është frymëzimi që vjen prej të Lumit,
që njerëzve u jep kuptim.
9 Mosha e gjatë s’e jep urtësinë
e shpesh pleqtë s’e dallojnë të drejtën.
10 Këndej dhe unë ju ftoj të më dëgjoni,
dua edhe vetë t’jua dëftoj dijen.
11 Me vëmendje jua dëgjova fjalët,
urtisë suaj veshin ia vura
të zgjidhni çështjen kur sprovuat.
12 U mundoja vesh t’ju marr.
Por mjerisht, sa unë po shoh,
ju asnjëri s’qetë të zotët
ta bindnit Jobin...
t’u përgjigjeshit fjalëve të tija!
13 Ruaj se thoni: ‘Gjetëm dijen,
ta dënojë Hyji e jo njeriu!’
14 Prandaj fjalë s’do të them si këto,
as si ju s’do t’i përgjigjem.
15 Mbetën të mundur, nuk përgjigjën,
nga biseda hoqën dorë.
16 Prita, por ata më s’folën,
pasi mbetën shtang pa përgjegje,
17 më takon mua tani të përgjigj,
ta dëftoj dijen që kam.
18 E kam mjaft veç fjalë për të thënë,
se më shtyt shpirti brend në krah’ror.
19 Jam fryrë si mushti i mbyllur
që i pëlcet rrëshekët e rinj!
20 Do të flas që pakëz të shfrej,
buzët do të hap e do të ligj’roj.
21 S’do të shikoj se kush çka është,
askërkënd unë s’do të përkëdhel,
22 unë nuk di kurrsi të lurtoj:
Basi im me shpejt do të më shuante”.