< Jb 7 Jb 9 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 8)
8

1 Fjalën mori Baldad Suhiti e tha:

2 “Po der’ kur do të flasësh kështu?

Si stuhi të buçasin fjalët!

3 Vallë thua Hyji shtrembëron të drejtën?

Lakon të drejtën i Gjithpushtetshmi?

4 Nëse bijtë e tu Atij i mëkatuan,

Ai i lëshoi në dorë të së keqes së tyre.

5 Porse ti nëse në mëngjes herët

para Tij i pafajshëm ngrihesh

e të Gjithpushtetshmit i lyp ndihmë

6 e i afrohesh i drejtë e i pastër,

menjëherë nga ti do të kthehet,

të drejtit shtëpinë do t’ia përtërijë.

7 Çka ke pasur, asgjë do të duket

në krahasim me çka do të kesh.

8 Pyet breznitë që qenë më parë,

vritie mendjen për sa të thanë të parët.

9 Jemi të djeshëm, shumë pak dimë,

pse si hije janë ditët tona

mbi këtë tokë...

10 Do të mësojnë dhe ty do të thonë,

nga zemra kështu do të të tregojnë:

11 “Papirusi a mos rritet pa lagështi,

a thua zunkthi pa ujë rritet?

12 Gjelbëron e ende pa u nxjerr,

vyshket para çdo bari tjetër.

13 Të tillë ka jetën kush harron Hyjin,

shpresa e të mbrapshtit mbaron shpejt.

14 Pe i hollë është shpresa e tij,

uzdaja e tij rrjetë merimange.

15 Nëse mbështetet në të ajo shqyhet,

nëse kapet në të ajo e lëshon.

16 Plot me lëng në diell zhvillohet,

shatorr gemat në kopsht i lëshon,

17 Nëpër shkëmbinj rrënjët i përshkon,

në qetë të gjallë i fortë jeton.

18 Por nëse hiqet nga vendi i tij:

vendi i thotë:’ Askurrë s’të kam parë!’

19 Kaq është kënaqësia e fatit të tij:

lëshon vend që të rriten të tjerët.

20 Të patëmetin nuk e flak Hyji,

as të mbrapshtit dorën s’ia ngjet.

21 Gazi prapë në buzë do të shpërthejë,

në gojën tënde brohoria!

22 Kush të urren do ta mb’lojë turpi,

shtëpia e të mbrapshtëve s’do të qëndrojë”.



Fjala e Zotit